Policia e Kosovës ka publikuar informacion zyrtar në lidhje me arrestimin e policëve në Morinë gjatë operacionit të finalizuar në bashkëpunim me palën shqiptare.
Kështu bëhet me dije se në radhët e Policisë së Kosovës, në pranga janë vënë 26 zyrtarë policorë, mes të cilëve edhe dy rreshterë, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti.
Po ashtu është dhënë edhe rekomandimi për pezullimin nga detyra për zyrtarët e arrestuar.
Kujtojmë se në radhët e palës nga Shqipëria, u ndaluan gjithsej 31 punonjës të policisë, 17 prej të cilëve u lanë në “arrest me burg” dhe 14 të tjerët në “arrest shtëpie”. Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale, kryesisht korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Njoftimi i policisë së Kosovës:
Operacioni “Pika 2” vë në pranga 26 zyrtarë policorë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit
Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale është duke realizuar sot operacionin e koduar me emrin “Pika 2” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në Prizren respektivisht në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.
Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë respektivisht pikë kalimit kufitar në Vërmicë.
Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale.
Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit “Pika 2” ka arrestuar sot 26 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë), që të gjithë të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “marrje e ryshfetit”.
Nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të involvuar në veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit” dhe “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar” .
Si pjesë e procedurave administrative nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës për zyrtarët tashmë të arrestuar .
Hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunimin me SPAK-un (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) Agjencinë për Mbikëqyrje Policore – AMP-së (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri) që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë.
Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në kuadër të këtij rasti në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.