Vendosni fjalën kyçe....

Po transportonte me makinën e saj emigrantë të paligjshëm, arrestohet 41-vjeçarja nga Saranda


Një grua është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës pasi u kap në flagrancë duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm me automjetin e saj në drejtim të Tiranës.

Uniformat blu bëjnë me dije se 41-vjeçarja Eralda Shkurta u ndalua në aksin Tepelenë – Krahës, në vendin e quajtur “Majkosh”. Në automjetin e saj ndodheshin 5 emigrantë të paligjshëm që po udhëtonin nga Saranda për në Tiranë.

Njoftimi i Policisë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 12”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E. Sh., 41 vjeçe, banuese në Sarandë.

Në aksin nacional Tepelenë – Krahës, në vendin e quajtur “Majkosh”, shtetasja E. Sh. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjetin e saj tip “Honda”, nga Saranda për në Tiranë, 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.