Aktori i njohur, Mehdi Malkaj i është bashkuar protestën e organizuar përa komisionit të vetingut, pas fyerjeve raciste të regjistruara nga drejtuesit e këtij procesi.
Gjatë fjalës së tij, Malkaj tha se edhe ai është malok. Duke folur përpara protestuesve, Malkaj tha se këtë ndarje Veri-Jug e ka shpikur politika antishqiptare.
“Unë jam malok, por unë kam edhe miq malokë këtu.
Miq të dashur, njeriu nuk e zgjedh dot nënën, babën, motrën, vëllanë, tezen, hallën, xhaxhanë, dajën, etj. Nuk i zgjedh dot këto, këto janë të dhëna. Por njeriu nuk e zgjedh as vendin e lindjes. Ze varet ku e zënë ujërat mamanë.
Miq të dashur, është e turpshme që një zyrtare e lartë të fyejë një zyrtar tjetër se nuk qëndron problemi këtu që u grindën dy zyrtarë.
Problemi është se këtu po bëhet një luftë e madhe veri-jug, për të përçarë atë që quhet Shqipëri. Se këta të Veriut qenkan me brirë dhe ne të jugut aristokratë të gjithë.
Se me një makinë të prishur nga Konispoli në Prishtinë shkon e kthehesh brenda ditës. Veri e Jug kanë ata që kanë 5-7 orë me avion. Ku e gjetëm ne Veriun e Jugun?
Unë e dua shumë Tropojën, e dua shumë Shkodrën. E dua Dibrën. E dua shumë vendin tim, është shumë i bukur. Pse e shëmtojnë këta? Kush e ka shpikur këtë veri-jug këtu tek ne? Politika e ndyrë antishqiptare që vazhdon të jetë e ulur këmbëkryq në mes të Tiranës.
Nuk ka Veri-Jug. Unë kam shumë miq nga Veriu e nga Jugu.
Edhe unë jam një derr maloku që s’e keni mendjen. Nuk e keni idenë çfarë maloku jam. Se fjala malok ka kuptim: Mal me okë.”– tha aktori.
Protesta e sotme përpara zyrave të KPK-së mbahet kundër diskriminimit krahinor, që doli hapur në seancat e KPA-së në gjyqin për prokuroren Elisabeta Imeraj.