Vendosni fjalën kyçe....

Si e kujtoi Ambasada Amerikane ditën kur Shqipëria u pushtua nga Italia në 1939-ën



Ambasada e SHBA-ve në Tiranë kujtoi dje ditën kur Italia nisi mësymjen drejt Shqipërisë më 7 Prill të vitit 1939.

Ambasada publikoi një faqe të gazetës New York Times të asaj kohe, ku shfaqej Faik Konica dhe ku sekretari amerikan i shtetit e dënonte sulmin. Në këtë postim, ambasada theksoi se SHBA ishin i vetmi vend që dënoi pushtimin e Shqipërisë në atë kohë, si një kërcënim për paqen në botë.

“Në këtë datë, 7 Prill 1939, Shqipëria u pushtua nga Italia. Në të njëjtën ditë, gazeta Neë York Times raportoi se Sekretari Amerikan i Shtetit Cordell Hull, e dënoi sulmin si një ‘pushtim të ashpër dhe të dhunshëm’, i cili përbënte ‘pa diskutim një kërcënim shtesë për paqen në botë’. Shtetet e Bashkuara ishin i vetmi vend që dënoi pushtimin në atë kohë. Sekretari Hull e bëri deklaratën e tij në një konferencë për shtyp me miratimin e Presidentit Franklin D. Roosevelt.

Sipas artikullit të Times, deklarata u pasua pak orë më vonë nga një protestë zyrtare për pushtimin, dërguar Departamentit të Shtetit nga Faik Konica, në atë kohë Ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Artikulli përfshin gjithashtu një foto të Konicës duke dëgjuar lajmet radiofonike të pushtimit italian në vendlindjen e tij.”– thuhet në postimin e ambasadës.

Kujtojmë se Faik Konica asokohe do ta konsideronte agresionin e Italisë fashiste kundër Shqipërisë së pambrojtur “një thikë pas shpine”.