Gjatë fjalimit të tij në Kongresin e PS-së, kryeministri Edi Rama ka ironizuar situatën në Partinë Demokratike, duke thënë se kjo forcë politike në fakt duhet të kishte “shkuar në djall” me kohë. Ai tha se nuk ndjen asnjë keqardhje për opozitën.
“Po jua them këtu, se jemi me njëri-tjetrin dhe s’na del fjala. Zero keqardhje për opozitën. Ajo forcë duhet të kishte shkuar në djall shumë kohë më parë. Shqipëria nuk ka për ta pasur një opozitë serioze. Ne duhet të jemi të shqetësuar, jo se na mungon opozita andej, po sepse nuk duhet të biem në kurthin e atij që nuk është i motivuar të luftojë.
Forcën tonë duhet ta masim me fuqinë që kemi për t’i bashkuar qytetarët shqiptarë. Vetësiguria jonë duhet të shprehet si forcë për ti dëgjuar me mendje të hapur të gjithë opinionet e shqiptarëve. Të vdekurit që gjallojnë duke kërkuar sherr apo zëdhënësit e tyre nëpër banaqet mediatike. Forca jon duhet të ketë veprime konkrete në respekt të opinionit të njerëzve.
Kjo familje politike nuk është si të tjerat. Ne nuk jemi si të tjerët. PS vetëm të këqijat i ka të ngjashme me të tjerat. PS është shqiptari. PS është brumi, pa të cilin politika shqiptare nuk prodhon dot asnjë gram bukë.”-deklaroi Rama.