Vendosni fjalën kyçe....

Luftëtari i batalionit Azov flet në Parlament – Debate në Greqi pas fjalimit të Zelensky-t


Fjalimi i presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky në parlamentin grek ditën e enjte shkaktoi zemërim te partitë opozitare. Kjo pasi Zelensky lejoi që gjatë fjalimit të tij të shfaqej videomesazhi i një burri që e identifikoi veten si një anëtar etnik grek i batalionit ultranacionalist të Ukrainës, Azov.

Siç shkruan “Reuters”, Zelensky foli për shkatërrimin e portit ukrainas të Mariupolit të rrethuar nga Rusia – shtëpia e mijëra grekëve etnikë – dhe i bëri thirrje Athinës për ndihmë.

Gjatë fjalimit të tij ai tregoi një mesazh nga një pjesëtar i batalionit Azov, një milici e ekstremit të djathtë tani pjesë e Gardës Kombëtare të Ukrainës.

“Unë ju drejtohem me origjinë greke. Unë jam Mikhail, gjyshi im ka luftuar kundër nazistëve… Unë marr pjesë në mbrojtjen e Ukrainës përmes Batalionit Azov.”– tha ai, citon Reuters.

Zelensky, i cili u ftua për t’iu drejtuar parlamentit grek nga kryeministri konservator Kyriakos Mitsotakis, mori duartrokitje të vazhdueshme nga ligjvënësit e pranishëm në sallë.

Por videoja e ushtarit me origjinë greke shkaktoi një reagim të ashpër në rrjetet sociale dhe zemërim te partitë e majta.

Menjëherë pas fjalimit, kreu i partisë së majtë Syriza, Alexis Tsipras tha se incidenti ishte një provokim. “Solidariteti me popullin ukrainas është i dhënë. Por nazistët nuk mund të thonë fjalën në parlament.”- shkroi ai në Twitter.

Postimi i tij kishte fituar më shumë se 3 mijë e 900 pëlqime deri të enjten në mbrëmje.

Një zëdhënës i qeverisë greke u përgjigj se mesazhi i një anëtari të Batalionit Azov në Parlament ishte “i gabuar dhe i papërshtatshëm”.

Ambasada e Ukrainës në Athinë tha se regjimenti Azov, i krijuar si një grup i djathtë ekstrem në vitin 2014, është reformuar dhe integruar në Gardën Kombëtare të Ukrainës.

“Për shumë vite Rusia u përpoq të ‘mbjellë’ në mendjet greke mitin se Regjimenti ‘Azov’ është një njësi e pavarur paraushtarake që vepron në Mariupol.”– tha ai.