Vendosni fjalën kyçe....

Pas himnit shqiptar dhe atij ukrainas, Gjiknuri hap fazën e dytë të punimeve të Kongresit: Shumicat nuk kanë gjithmonë të drejtë, PS rasti i duhur


Kanë nisur zyrtarisht punimet e Kongresit të PS-së. Faza e dytë e punimeve nisi me një ceremoni krejt ndryshe, me himnin kombëtar shqiptar dhe më pas në shenjë solidariteti është luajtur  dhe ai i Ukrainës.

 Kryeministri Edi Rama gjithashtu ka mbërritur.

Ai që hapi fjalimin në pjesën e dytë të Kongresit të Partisë Socialiste ishte Damian Gjiknuri. Gjatë fjalës së tij ai tha se e ardhmja me PS është më e sigurt.

Më pas gjatë fjalës së tij, ai u bëri thirrje të rinjve që ti bashkohen kësaj force politike, ndërsa theksoi se shpesh herë pakica ka të drejtë mbi shumicën dhe se PS është organizata e duhur politike që e tregon këtë.

“Ju them të gjithë të rinjve: Popullojeni sa më shumë PS-në. Duke qenë brenda keni mundësi ta ndryshoni me energjinë tuaj. Është më e lehtë se sa ta bëni atë nga jashtë. Prandaj ju them bëhuni pjesë e PS-së.

Në një shoqëri demokratike vërtet vendos shumica, por kjo nuk do të thotë që shumicat kanë gjithmonë të drejtë.

Ndodh që e drejta qëndron edhe nga ana e pakicës. Madje edhe më shumë se kaq. Të drejtë mund të ketë edhe një individ përkundër një organizate. Dhe PS është rasti i duhur i një organizate politike, që harmonia, solidariteti, vendosmëria për të ecur përpara burojnë nga shkrirja e vullnetit të individit, me ambicien e pakicës dhe me vullnetin e palëkundur të shumicës për t’i përfshirë edhe këto brenda. PS i është mirënjohëse gjithkujt që i ka dhënë asaj diçka sado të vogël, me zotimin se do të vazhdojmë që kjo parti të bëhet më e mirë se të gjithë të tjetrët.”- tha Gjiknuri.