Vendosni fjalën kyçe....

“YouTube” mbyll kanalin e Parlamentit të Rusisë


YouTube ka bllokuar sot kanalin e “Duma TV” që transmeton nga dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë. Reuters shkruan se kjo ka shkaktuar zemërim te zyrtarët rusë të cilët kanë thënë se shërbimi më i popullarizuar i transmetimit në botë mund të përballet me kufizime si përgjigje.

Të shtunën, një mesazh në YouTube tha se kanali i parlamentit rus ishte “mbyllur për një shkelje të Kushteve të Shërbimit të YouTube”.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme, Maria Zakharova ka reaguar përmes një postimi në shërbimin e mesazheve në Telegram, ku shkruan: “Siç duket, YouTube ka nënshkruar urdhrin e vet. Ruani përmbajtjen, transferojeni atë në platformat ruse. Dhe nxitoni.”

Mbikëqyrësi i komunikimit tha se i kishte kërkuar Google të rivendoste menjëherë aksesin në kanalin Duma.

“Kompania amerikane e IT i përmbahet një pozicioni të theksuar anti-rus në luftën e informacionit të nisur nga Perëndimi kundër vendit tonë.“- tha rregullatori rus i komunikimeve, Roskomnadzor.

Google i tha Reuters në një koment të dërguar me email se ishte përkushtuar në përputhje me të gjitha sanksionet e zbatueshme dhe ligjet e pajtueshmërisë tregtare.

“Nëse konstatojmë se një llogari shkel Kushtet tona të Shërbimit, ne marrim veprimet e duhura. Ekipet tona po monitorojnë nga afër situatën për çdo përditësim dhe ndryshim.”– thuhet në mesazhin e Google sipas Reuters.

Vyacheslav Volodin, kryetari i Dumës, tha se lëvizja e YouTube ishte një provë e mëtejshme e shkeljeve të të drejtave dhe lirive nga Uashingtoni.

“SHBA dëshiron të marrë një monopol në promovimin e informacionit. Ne nuk mund ta lejojmë të ndodhë.”- tha Volodin në Telegram.