Një fabrikë çokollate ‘Kinder’ në Belgjikë është urdhëruar të mbyllet pasi u lidh me dhjetëra raste të salmonelës.
Autoriteti i sigurisë ushqimore i Belgjikës ka urdhëruar gjithashtu tërheqjen e të gjitha produkteve ‘Kinder’ të prodhuara në fabrikën në Arlon, e cila është në pronësi të ‘Ferrero’.
Rastet e dyshuara të salmonelës të lidhura me çokollatën Kinder janë raportuar në disa vende duke përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Belgjikën.
Ferrero ka kërkuar falje dhe ka pranuar ‘dështimet e brendshme’.
Autoriteti i sigurisë ushqimore i Belgjikës, AFSCA, tha se fabrika u urdhërua të mbyllej pasi ‘Ferrero’ nuk ishte në gjendje të jepte informacion të plotë për hetimin e saj.
AFSCA tha se hetimi ishte në vazhdim dhe fabrika do të lejohej të rihapej vetëm nëse ‘Ferrero’ mund të jepte garancitë e nevojshme që ajo ishte në përputhje me rregulloret e sigurisë ushqimore.
Ministri belg i Bujqësisë David Clarinval tha në një deklaratë: “Një vendim i tillë nuk merret kurrë lehtë, por rrethanat e bëjnë të nevojshme. Siguria ushqimore e qytetarëve tanë nuk mund të anashkalohet kurrë.”
Tërheqja përfshin të gjitha produktet Kinder Surprise, Kinder Surprise Maxi, Kinder Mini Eggs dhe Kinder Schokobons.
AFSCA u ka kërkuar gjithashtu kompanive që të heqin produktet nga raftet e tyre dhe i këshilloi njerëzit që të mos i hanë ato.
Të enjten, ‘Ferrero’ tërhoqi disa nga çokollatat e saj ‘Kinder’ nga dyqanet në SHBA për shqetësimet rreth ndotjes së mundshme me salmonelë.