Forcat ruse goditën objektivat në Ukrainën lindore me raketa dhe artileri të dielën, ndërsa udhëheqësi i Austrisë planifikoi të takohej me presidentin rus Vladimir Putin dhe Uashingtoni u zotua t’i jepte Ukrainës “armët që i nevojiten” për t’u mbrojtur kundër një ofensive të re ruse.
Kancelari austriak Karl Nehammer tha se do të takohet me Putin të hënën në Moskë për takimin e parë ballë për ballë të liderit rus me një homolog të Bashkimit Evropian që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, raporton Reuters.
“Ne jemi ushtarakisht neutralë, por kemi një pozicion të qartë për luftën e agresionit rus kundër Ukrainës. Duhet të ndalet! Ajo ka nevojë për korridore humanitare, armëpushim dhe hetim të plotë të krimeve të luftës”,- shkroi Nehammer në Twitter.