Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i kryetarit të të përndjekurve të Mirditës, reagon Alibeaj: Të lirohet menjëherë dhe t’i kërkohet falje publike


Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar lidhur me arrestimin e kryetarit të të përndjekurve politikë të Mirditës, Kol Nikolli. Ky i fundit u ndalua në pikën kufitare të Hanit të Hotit ndërsa ikte për në Itali, për shkak se ndaj tij kishte një urdhër arresti lidhur me protestën e Rrugës së Kombit.

Alibeaj kërkon lirimin e menjëhershëm të Nikollit ndërsa shton se autoritetet shtetërore duhet t’i kërkojnë falje publike atij.

“Ndalimi në kufi si një kriminel, i një personaliteti që përfaqëson të përndjekurit politikë, familjarisht te persekutuat nga komunizmi, siç është rasti i Kol Nikollit, është padyshim prova që ky pushtet është kundër qytetarëve shqiptarë.

Në vend që të ndalojnë ata që me aferën e inceneratorëve vodhën 430 milion euro, ndalojnë Kol Nikollin, vetëm se pretendohet se ka dalë krah qytetarëve të vet që ngritën zërin për rritjen e çmimeve.

Pra, në shtetin e Edi Ramës, nëse vjedh 430 milion euro, shëtit i lirë e shkon në të gjithë botën, por ama nëse bën detyrën si qytetar i këtij vendi përfundon pas hekurave.

PD i kërkon autoriteteve të lirojnë menjëherë kreu e shoqatës së të përndjekurve politikë Kolë Nikolli dhe ti kërkojnë falje publike.”– shkruan Alibeaj.

Kryetari i të përndjekurve Politikë të Mirditës, Kol Nikolli u ndalua në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit këtë të hënë. Kjo pasi kishte një urdhër arresti ndaj tij për protestën e zhvilluar në muajin Mars kundër rritjes së çmimeve, në rrugën e Kombit. Dhjetëra protestues bllokuan atëherë në shenjë revolte rrugën e Kombit duke penguar qarkullimin e automjeteve. Por Nikolli pretendon se as nuk ka marrë pjesë fare në atë protestë.