Vendosni fjalën kyçe....

Cilat janë shtetet që shpenzojnë më shumë për luftën?


Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës e ka kthyer në qendër të debatit çështjen e shpenzimeve ushtarake dhe të mbrojtjes. Një debat që përfshin edhe Italinë, aq sa më 16 mars Parlamenti italian miratoi aktin e Qeverisë që planifikon të rrisë shpenzimet ushtarake deri në 2% të PBB-së në vitin 2022.

Kështu do të kalohet nga një investim prej 25 miliardë eurosh në 38 miliardë. Pragu i zgjedhur prej 2% sigurisht nuk është i rastësishëm: NATO i ka qortuar prej vitesh anëtarët e saj se kanë shpenzuar shumë pak. Italia para së gjithash, por edhe Gjermania, Spanja dhe vendet nordike.

Të dhënat, të raportuara nga “truenumbers”, i referohen periudhës dyvjeçare 2020 dhe 2021 të ofruara nga Sipri, Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm.

Sa shpenzojnë shtetet për armë në raport me PBB-në?

Në vitin 2020, Italia investoi 1.6% të PBB-së së saj në shpenzime ushtarake. Një përqindje e ngjashme me atë të Gjermanisë dhe Spanjës, të dyja me 1.4%, por më e ulët se Portugalia me 2.1% dhe Franca e Mbretëria e Bashkuar, me 2.3%.

Ndoshta është mirë të sqarohet menjëherë se, duke qenë se po flasim për përqindje të PBB-së, totali varet nga produkti i brendshëm bruto i çdo vendi. Pra, në shifra absolute, Italia shpenzon shumë më tepër se Portugalia, shpenzimet e së cilës arrijnë në vetëm 4.6 miliardë euro.

Kush shpenzon më shumë?

Shpenzimet gjithashtu ndryshojnë bazuar në vendndodhjen gjeografike, historinë dhe aleancat. Për shembull, sa më shumë në lindje të shkoni, aq më të larta janë zërat e shpenzimeve të mbrojtjes. Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Serbia, Rumania janë të gjitha ndërmjet 2.1% dhe 2.3% të PBB-së. Por lidershipi i Bashkimit Evropian mbahet nga Greqia me një shpenzim për ushtrinë të barabartë me 2.8% të PBB-së.

Rekordi mbahet nga Omani

Vendet arabe dallohen. Omani, për shembull, ndan 10.8% të PBB-së për ushtrinë dhe pajisjet ushtarake. Është përqindja më e lartë në botë. Dhe së shpejti gjejmë një vend tjetër arab: Arabinë Saudite me 8.5% të PBB-së. Mund të themi se nafta shndërrohet shumë lehtë drejtpërdrejt në armë. Pozicioni i tretë botëror i përket Algjerisë me 6.7%, por në vendin e katërt dhe të pestë janë vendet e tjera të Lindjes së Mesme: Kuvajti ndan 6.5% të PBB-së për mbrojtjen, ndërsa Izraeli 5.2%.

Që nga shpërthimi i konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, nga ana tjetër, Perëndimi ka lëvizur pothuajse njëzëri në ofrimin e ndihmës ekonomike dhe humanitare për Kievin. Ushtria e NATO-s është vendosur në kufi dhe dikush ka dërguar gjithashtu burime ushtarake për të ndihmuar ushtrinë ukrainase. Italia nuk është zyrtarisht ndër vendet që kanë dërguar mitralozë, helikopterë dhe tanke, por një vend si Mbretëria e Bashkuar, që investon 2.2% të PBB-së së saj në armatime, nuk ka bërë aq shumë sa është pritur .

Por sa shpenzojnë Ukraina dhe Rusia për ushtrinë? Ukraina në vitin 2020 ndau 4.1% të PBB-së për mbrojtjen, një shifër shumë e afërt me atë të Rusisë që shkoi në 4.3%. Të dyja shtetet, megjithatë, shpenzojnë shumë pak në krahasim me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara. Amerika renditet e para në botë për shpenzimet ushtarake: 778 miliardë dollarë, ose 3.7% e PBB-së. Një figurë e pakrahasueshme për momentin. Edhe për Kinën, e cila aktualisht është e dyta në botë, me 1.8% të PBB-së për mbrojtjen, e barabartë me 252 miliardë lekë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e portalit NicolaPorro.it/ Përshtati në shqip Hashtag.al