Vendosni fjalën kyçe....

I kishte prerë gishtat bashkëshortes dhe e kanosi se do e vriste, pranga 36-vjeçarit në Kukës


Një 36-vjeçar është arrestuar në Kukës pasi akuzohet se kërcënonte se do vriste bashkëshorten dhe vëllanë e saj.

Personi me iniciale B.S. është arrestuar në fshatin Kryemadh ndërsa sipas policisë ai i kishte prerë me thikë gishtat e duarve bashkëshortes me iniciale L.S.

Gjatë kontrollit në banesë, personit në fjalë i janë gjetur një armë zjarri pushkë e mbushur me fishekë dhe një thikë.

Njoftimi

“Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale në familje në Kukës, ku është arrestuar një 36-vjeçar që i kishte dëmtuar gishtat, me mjet prerës, bashkëshortes së tij dhe e kërcënonte se do të vriste atë dhe të vëllanë e saj me armë zjarri. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pasi kanë marrë njoftim se në fshatin Kryemadh, shtetasi B. S. kishte konflikt me bashkëshorten e tij, shtetasen L. S., 35 vjeçe, të cilën e dhunonte dhe e kërcënonte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërhyrja”. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë vënë në pranga shtetasin B. S., 36 vjeç, i cili pas një konflikti me bashkëshorten, i kishte dëmtuar asaj gishtat e dorës, me mjet prerës (thikë) dhe e kërcënonte se do të vriste atë dhe të vëllanë e saj, me armë zjarri. Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë të mbushur me fishekë dhe një thikë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.”