Vendosni fjalën kyçe....

“Marrëdhëniet me SHBA-në do mbeten në rrugën e duhur pas rrëzimit të kryeministrit” – Zyrtari pakistanez për median amerikane


Një zyrtar pakistanez është shprehur për median amerikane ‘Newsweek’ se marrëdhëniet me SHBA-në do qëndrojnë në kursin e tyre pas rrëzimit të kryeministrit të vendit Imran Khan.

Ky i fundit e kishte akuzuar më herët Uashingtonin se është përpjekur ta rrëzojë nga pushteti përmes ndërhyrjeve e makinacioneve me disa politikanë e deputetë që cuan në votën e mosbesimit dhe përfundimisht rrëzimin e tij.

Zyrtari pakistanez i tha ‘Newsweek’ se votimi ishte ‘një proces parlamentar sipas Kushtetutës dhe se marrëdhëniet Pakistan-SHBA do mbeten në rrugën e duhur, siç duket edhe nga përfshirja që ka qenë vitin e fundit’.

Mocioni parlamentar të shtunën mori 174 vota kundër Khan, dy më shumë se sa nevojiteshin për ta hequr atë nga detyra dhe pasoi një përshkallëzim dramatik të përçarjeve politike brenda vendit bërthamor prej 220 milionë banorësh.

Që nga ardhja në detyrë në gusht 2018, ylli populist i kriketit, i kthyer në politikan, është përballur me tensione në rritje me udhëheqjen ushtarake me ndikim të vendit, si dhe me përkeqësim të inflacionit.

Jashtë vendit, ai kishte përqafuar një lidhje shtrënguese me Kinën fqinje dhe një marrëdhënie gjithnjë e më të vështirë me SHBA-në, që ka krijuar lidhje më të forta vitet e fundit me rivalin kryesor të Pakistanit, Indinë.

Ndërsa mbështetja për rrëzimin e Khan u rrit, kryeministri pakistanez pretendoi javën e kaluar se përpjekja ishte rezultat i ‘ndërhyrjes së hapur në politikën e brendshme nga Shtetet e Bashkuara’.

Akuza e tij u mbështet më vonë nga z.presidenti Qasim Suri, një anëtar tjetër i partisë pakistaneze Tehreek-e-Insaf të Khanit, i cili u përpoq të bllokonte votimin e mosbesimit dhe të shpërndante parlamentin të dielën e kaluar, vendim që u anulua të premten nga Gjykata e Lartë.

Administrata e presidentit Biden i ka mohuar me forcë pretendimet.

“Më lejoni të them troç se nuk ka absolutisht asnjë të vërtetë për këto pretendime.” – u tha gazetarëve të premten zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jalina Porter.

“Sigurisht, ne vazhdojmë t’i ndjekim këto zhvillime dhe respektojmë dhe mbështesim procesin kushtetues dhe sundimin e ligjit të Pakistanit.” – shtoi ajo.