Ish-kryeministri Berisha ka shkruar se kancelari gjerman Scholz e kishte hedhur poshtë nismën e Ballkanit të Hapur duke vlerësuar Procesin e Berlinit.
Reagimi i Berishës vjen pasi kryeministri Rama tha më herët se Scholz nuk është mosmbështetës ndaj Ballkanit të Hapur pasi në një rast të tillë do e kishte shprehur hapur diçka të tillë.
Berisha shkruan në Facebook se qëndrimi i kancelarit gjerman është në interes të shqiptarëve, paqes, stabilitetit e integrimit të rajonit.
“Një qëndrim në interes të shqiptareve, paqes, stabilitetit dhe integrimit të rajonit!
Të dashur miq, dje në një konferencë shtypi me Edi Ramën, Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz shprehu:
1- Mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe integrimin e saj në BE.
2- Mbështetjen e Procesit të Berlinit dhe tregut të përbashkët rajonal në kuadër të këtij procesi.
3- Refuzimin e prerë të Ballkanit të Hapur, Aleancës trilaterale Beograd- Tiranë -Shkup të Aleksandër Vuçiç si projekt i hegjemonisë serbe në rajon.
Miq, ju ftoj të përshëndesim këto qëndrime si interesi më i mirë i shqiptarëve, paqes, stabilitetit dhe integrimit në rajon dhe përgjigja më e merituar ndaj projekteve aventureske të serbomadhisë të presidentit ultranacionalist serb Vuçiç dhe klikave të tij vasale Rama-Zaev në Tiranë dhe Shkup.” – shkruan Berisha.