Vendosni fjalën kyçe....

“Është e pamundur të na izolojnë, do i arrijmë objektivat në Ukrainë” – Putin


Presidenti rus Putin paralajmëroi Perëndimin të martën se përpjekjet për të izoluar Moskën do të dështonin, duke përmendur suksesin e programit hapësinor sovjetik si dëshmi se Rusia mund të arrijë hapa spektakolarë përpara në kushte të vështira.

Kreu i Kremlinit pohoi se vendi nuk do të varet më kurrë nga Perëndimi pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj vendosën sanksione gjymtuese ndaj saj për ta ndëshkuar për urdhrin e tij të 24 shkurtit në atë që ai e quajti një ‘operacion special ushtarak’ në Ukrainë, shkruan Reuters.

Gjashtëdhjetë e një vjet nga dita që kur Yuri Gagarin i Bashkimit Sovjetik hyri në librat e historisë duke u bërë njeriu i parë në hapësirë, Putin udhëtoi për në kozmodromin Vostochny në Lindjen e Largët të Rusisë, 5550 km në lindje të Moskës.

“Sanksionet ishin totale, izolimi ishte i plotë, por Bashkimi Sovjetik ishte i pari në hapësirë.” – tha Putin, sipas televizionit shtetëror rus.

“Ne nuk synojmë të izolohemi. Është e pamundur të izolosh rëndë dikë në botën moderne, veçanërisht një vend kaq të gjerë si Rusia.” – tha ndër të tjera Putin.

Putin shtoi se ‘operacioni special ushtarak’ në Ukrainë është i nevojshëm sepse Shtetet e Bashkuara po përdornin Ukrainën për të kërcënuar Rusinë, duke përfshirë edhe aleancën ushtarake të NATO-s dhe se Moska duhej të mbronte njerëzit rusishtfolës në Ukrainë nga persekutimi.

Ai tha të martën se nuk kishte dyshime se Rusia do t’i arrinte të gjitha objektivat e saj në Ukrainë – një konflikt që ai e konsideroi si të pashmangshëm dhe thelbësor për të mbrojtur Rusinë në planin afatgjatë.

“Qëllimet e saj janë absolutisht të qarta dhe fisnike. Është e qartë se ne nuk kishim zgjedhje. Ishte vendimi i duhur.” – tha ai.

Forcat ukrainase kanë ngritur rezistencë të ashpër dhe Perëndimi ka vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë në një përpjekje për ta detyruar atë të tërheqë forcat e saj.