Zhurma mediatike që shkaktoi dje deklarata në “Twitter” e një gazetari paraguajan për Enkelejd Alibeajn; është zvenitur pas kontaktit që Hashtag.al pati me gazetarin në fjalë.
Pasi u kontaktua nga Hashtag.al, ai deklaroi se nuk posedon asnjë evidencë ndaj Alibeajt, por thjesht dinte disa informacione që i konsideronte si të sigurta.
Por le ta nisim nga fillimi.
Ditën e djeshme një gazetar në Paraguaji, Pedro Escobar Medina kërkonte përmes një postimi në “Twitter” nga Ministria Publike në shtetin e tij, që të hetohet mbështetja që ekonomisti Carlos Fernández Valdovinos ka dhënë ndaj deputetit shqiptar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.
“Ministria Publike e Republikës së Paraguajit duhet të marrë në konsideratë të hetojë mbështetjen financiare dhe bankare të Carlos Fernández Valdovinos dhënë politikanit të korruptuar Albanes Enkelejd Alibeaj.”– shkruante ai.
Mirëpo i kontaktuar nga Hashtag.al lidhur me këtë akuzë, gazetari nga Paraguaji pranoi se nuk posedon asnjë provë ndaj Alibeajt, por thjesht dinte disa informacione.
“Informacioni për Alibeajn është i disponueshëm në dokumente zyrtare tek të cilat unë kam patur akses konfidencial këtu në Paraguaji dhe në Panama. Duhet të ketë një institucion në qeverinë e Shqipërisë që mund t’i kërkojë këto dokumente këtu në Bankën Qendrore të Paraguajit.
Gjithçka mund të them është që z.Alibeaj është një politikan i diskutueshëm – sipas burimeve dhe supozohet se është i lidhur me krimin e organizuar.
Ju duhet të rishqyrtoni publikimet e Emmanuele Ottolenghi-t për të krijuar një ide më të mirë për këto praktika të pastrimit të parave. Të afërm të Alibeajt po punojnë në administrimin e pronave të tij në SHBA, gjithmonë duke iu referuar burimeve shumë serioze.”- përgjigjet gazetari nga Paraguaji duke pranuar kështu se vetë nuk zotëron asnjë provë, por këto informacione i ka vetëm me burime./Hashtag.al