Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka hedhur poshtë qëndrimin e ish-presidentit amerikan Bill Clinton mbi politikën e supozuar të dyerve të hapura të NATO-s ndaj Rusisë, duke këmbëngulur se Uashingtoni e bëri të pamundur që Moska t’i bashkohej bllokut ushtarak.
“Unë e di me siguri se pala amerikane ka folur vazhdimisht për pamundësinë e një anëtarësimi të tillë. ‘De facto’, u tha se dyert, përkundrazi, janë të mbyllura, sepse është thelbësisht e pamundur.” – u tha Peskov gazetarëve të hënën.
Në fillim të javës së kaluar, Bill Clinton botoi një artikull në ‘The Atlantic’ duke u përpjekur të justifikonte politikën e administratës së tij për zgjerimin e NATO-s.
“Politika ime ishte të punoja për më të mirën, ndërkohë që zgjeroja NATO-n për t’u përgatitur për më të keqen. Po, NATO u zgjerua pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë, por zgjerimi kishte të bënte më shumë sesa marrëdhëniet e SHBA me Rusinë.” – shpjegoi ish-presidenti.
Ai shtoi se, ‘SHBA e la hapur derën për anëtarësimin e mundshëm të Rusisë në NATO’.
Në fund të shkurtit, presidenti rus Putin publikoi një fjalim me video gati një orëshe drejtuar kombit, në të cilin ai shpjegoi shqetësimet e sigurisë së Kremlinit mbi Ukrainën, kryesisht në lidhje me politikën e jashtme të Kievit të orientuar drejt NATO-s.
Në fjalimin e tij, udhëheqësi rus pretendoi se ai kishte ngritur çështjen e pranimit të Rusisë në NATO me presidentin e atëhershëm Bill Clinton, por pa dobi. Në vend që të përqafonte Moskën në bllok, Putin tha se Uashingtoni ishte përgjigjur duke mbështetur terroristët brenda Rusisë, duke u tërhequr nga Traktati i Raketave Anti-Balistike të vitit 1972 dhe duke e zgjeruar organizatën në një mënyrë që kërcënonte sigurinë e vendit të tij.
Sipas Kremlinit, refuzimi i NATO-s për t’i dhënë Moskës garanci sigurie, provokoi Rusinë të njohë pavarësinë e republikave separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Lugansk dhe të ndërmarrë veprime ushtarake duke nisur një ofensivë kundër Ukrainës. Kievi dhe Perëndimi kanë theksuar se sulmi i Moskës ishte krejtësisht i pajustifikuar.