Vendosni fjalën kyçe....

Mbretëria e Bashkuar po heton nëse Rusia ka përdorur armë kimike në Ukrainë


Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar thotë se Londra po punon për të konfirmuar nëse forcat ruse kanë përdorur armë kimike në Ukrainë.

James Heappey i tha BBC-së se raportet se municione të tilla janë përdorur kundër qytetit jugor të rrethuar të Mariupolit kanë qarkulluar në mediat sociale të Ukrainës, por as inteligjenca britanike e mbrojtjes dhe as homologët e tyre në Kiev nuk kanë qenë në gjendje t’i verifikojnë këto pretendime.

Heappey shton se Mbretëria e Bashkuar po “punon urgjentisht” për të zbuluar nëse janë përdorur armë kimike. Ai përsërit komentet e sekretarit të jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar të hënën mbrëma se Rusia do të “mbahet përgjegjëse” dhe se çdo përdorim i armëve kimike është “i neveritshëm” dhe “kalon kufijtë“.

Heappey thotë se nëse ka prova që armë të tilla janë përdorur, atëherë “të gjitha opsionet janë në tryezë” për sa i përket përgjigjes ndërkombëtare.

“Verifikimi i tij është padyshim shumë i rëndësishëm.”- shton Heappey. “Nëse do të përdoreshin armë kimike, është një moment shumë i rëndësishëm për kryeministrin tonë (i referohet Boris Johnson) dhe krerët e tjerë të qeverive në mbarë botën. Presidenti Putin duhet të jetë i vetëdijshëm se përdorimi i armëve kimike është i papranueshëm.”-tha ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.