Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllet seanca ndaj Elisabeta Imerajt, KPA rrëzon kërkesat e prokurores, seanca e radhës më 20 prill


Është mbyllur seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ndaj drejtueses së prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj.

Në përfundim të saj, kryetarja e trupës, Ina Rama, ka lexuar vendimin e marrë duke njoftuar se seanca e radhës do mbahet në datën 20 prill në orën 13:00.

KPA hodhi poshtë kërkesat e bëra nga Imeraj si për thirrjen si dëshmitarë të vëzhguesit të ONM-së Theo Jacobs e anëtarëve të KPK-së ashtu edhe kërkesat për informacione nga prokuroria e Durrësit dhe hetimin e anëtarëve të KPK-së.

KPA vendosi mbylljen e fazës së hetimit gjyqësor dhe pranoi kërkesën e avokatit të Imerajt për më shumë kohë për paraqitjen e konkluzioneve me shkrim, duke vendosur që ato do të dorëzohen me shkrim në seancën e 20 prillit.

Seanca e sotme vjen  pas asaj maratonë të javës së shkuar. Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, u konfirmua në detyrë në shkallën e parë të rivlerësimit, në KPK.

Por ONM-ja e Komisioneri Publik apeluan vendimin duke kërkuar shkarkimin nga detyra të saj.Imeraj ka theksuar gjatë seancave në procesin e vetingut se rasti i saj është paragjykuar.

Hashtag.al zbuloi se në seancat e zhvilluara në KPK ndaj Imerajt, ish-kryetarja Genta Bungo, ka kërkuar shkarkimin  e Imerajt duke thënë se bëhej fjalë për ‘një maloke më pak’ në sistemin e drejtesisë.

Po kështu seanca në veting u shoqërua me një skandal ku është përfshirë vëzhguesi i ONM-së (Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit) Theo Jacobs.

Ky i fundit kishte referuar në SPAK emal-in e një zonje e cila e akuzonte Imerajn për ryshfet. Denoncuesja është një personazh i njohur për organet ligjzbatuese shqiptare pasi në 3 vitet e fundit ka bërë dhjetëra kallëzime, për gjithë zinxhirin drejtues të shtetit shqiptar, madje dhe për komisionerët e vettingut, ambasadoren amerikane, artistë, këngëtarë, Mark Zuckebergun madje ka denoncuar dhe presidentin e Kinës Xi Jiping, duke e akuzuar atë si personin që e helmoi me koronavirus.

Përveç personazhit në fjalë, ONM-ja nëpërmjet vëzhguesit Theo Jacobs dhe Komisioneri Publik Florian Ballhysa kanë keqpërdorur përveç personazhit të lartpërmendur edhe dy të tjerë në seancën e rivlerësimit ndaj Imerajt.

Bëhet fjalë për Valentino Ymerin dhe Rrahim Shehun, të cilët nuk ekzistojnë fare në Regjistrin Civil dhe janë personazhe fals. Pas kësaj në çështje u përfshi edhe ambasada e BE-së në Tiranë e cila i quante dezinformime e akuza të pabaza meterialet e dala ndaj organeve të vetingut e ONM-së.

Vendimi i zbardhur

Trupi gjykues, pasi dëgjoi parashtrimit e Komisionerit Publik e atë të subjektit te rivlerësimit, vendosi të riçelë hetimin e të merren në administrim aktet e reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

Deklarimet e Subjektit të rivlerësimit në seancën e kaluar të përcjella në Komision nuk do konsiderohen si prova të reja por do të analizohen në cilësinë e akteve që gjenden në fashikuj e që i janë nënshtruar edhe vlerësimit të Komisionit.

Sa i përket kërkesës për thirrjen e dëshmitarëve trupi gjykues vendosi si vijon:

1-Të mos pranohet kërkesa e Subjektit të rivlerësimit për thirrjen e zonjës Sabrie Bajri, z.Gëzim Imeraj dhe znj.Ermira Imeraj në cilësinë e dëshmitarëve për të dëshmuar fakte që provojnë zgjidhjen e martesës, apo që lidhen me kriterin e vlerësimit të figurës, pasi dëshmia e tyre parë në dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa a dhe c është e panevojshme në kushtet kur aktet në fashikuj përmbajnë dokumentacion të mjaftueshëm lidhur me këto fakte.

2-Të mos pranohet kërkesa e subjektit të rivlerësimit për thirrjen e Z.Paqësor Kaho në cilësinë e dëshmitarit, për fakte që lidhen me kriterin e vlerësimit pasuror pasi dëshmia e tij parë në dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa a është e panevojshme në kushtet kur aktet në fashikuj përmbajnë dokumentacion të mjaftueshëm lidhur me faktet që kërkohet të provohen.

3-Të mos pranohet kërkesa e subjektit të rivlerësimit për thirrjen në cilësinë e dëshmitarëve Roland Ilia, Z. Olsi Komici dhe Z. Theo Jacobs, pasi dëshmia e tyre e parë në dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa a është e panevojshme në kushtet kur aktet në fashikuj përmbajnë dokumentacion të mjaftueshëm për vendimmarrjen.

4-Të mos pranohet kërkesa e subjektit të rivlerësimit për thirrjen e znj.A. H. e znj. E.T. znj, D.N. pasi dëshmia e tyre e parë në dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa b rezulton e parëndësishme për zgjidhjen e çështjes.

5-Të mos pranohet kërkesa e subjektit të rivlerësimit për thirrjen e znj.E.F., z.A.A. A.Z., R. Ç., e z. Rr.Sh., pasi dëshmia e tyre e parë në dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa a është e panevojshme në kushtet kur aktet në fashikuj përmbajnë dokumentacion të mjaftueshëm lidhur me faktet që kërkohet të provohen.

6- Të mos pranojë të thërrasë dhe të pyesë z.Ilia Cece në cilësinë e ekspertit pasi cmohet se një kërkesë e tillë nuk lejohet nga ligji në dritën e dispozitave të nenit 225 dhe vijues të nenit të Procedurës Civile të nenit 49, pika 6 të ligjit 84/2016. Trupi gjykues i kolegjit sjell në vëmendje se ekspertiza e kryer nga z.Cece në formë shkresore gjendet e administruar në fashikuj dhe si e tillë do t’i nënshtrohet dhe analizës së trupit gjykues.

Njëkohësisht për qëllimet ndihmëse të vendimmarrjes, Kolegji mbështetet në shërbimet e specializuara të njësisë së shërbimit…

7- Të mos kërkojë kopje të fashikujve të hetimit të zhvilluar mbi bazën e kallëzimit penal të ushtruar nga subjekti i rivlerësimit në datën 25.02.2022, pasi parë në dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa a ligji 84/2016 marrja e këtyre akteve dhe rezultati i këtij procedimi duket se janë të panevojshme në funksion të zgjidhjes së çështjes.

8- Të mos pranohet kërkesa për informacion për procedimin penal nr.22 52 të vitit 2021 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, kallëzim penal i ushtruar nga subjekti i rivlerësimit lidhur me gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar të datës 30.09.2020 dhe 21.10.2020 pasi parë në dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa a, është e panevojshme në kushtet kur aktet në fashikuj përmbajnë dokumentacion të mjaftueshëm.

9- Të mos kërkohen aktet që lidhen me procedimin penal me nr.18 83 2021, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, kallëzim penal në ngarkim të punonjësve të Komisionit të Pavarur të të Kualifikimit pasi nën dritën e përcaktimeve të nenit 49, pika 6, germa b, rrethanat objekt hetimi në atë procedim janë të parëndësishme për procesin, sikurse është i parëndësishëm edhe rezultati i hetimit në konsideratë të dispozitave penale për të cilat është nënshkruar hetimi. Të mbahen në konsideratë edhe parashikimi i nenit P pika 3, sipas të cilit Kolegji i Posaçëm i Apelimit korrigjon çdo gabim procedurial që konstatohet gjatë hetimit në Komision.

10 – Të mos kërkohet informacion në Bashkinë e Tiranës në lidhje me të dhënat që lidhen me detyrimin e pronës që ndodhet në Mullet dhe ndryshimin e regjimit të saj nga Arë në Kullotë, pasi parë në dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa b, pasi fakti që kërkohet të provohet është i parëndësishëm në kushtet kur del jashtë kufijve të shkaqeve të anikimit.