Shërbimi i transportit urban në Tiranë pritet të përkeqësohet. Vendimi i qeverisë për të subvencionuar 100 lekë për litër naftë sektorit të transportit urban pas shtrenjtimit të karburanteve në nivelet mbi 230 lekë për litër do të shoqërohet me ndalimin e dhënies të subvencionit nga bashkia.
Për muajt mars-prill-maj që operatorët e transportit urban do të tërheqin subvencionin e rritjes të çmimit të naftës, nuk do të marrin subvencionin e Bashkisë të Tiranës për rënien e numrit të pasagjerëve nga pandemi e Covid-19.
Kryetari i Shoqatës të Transportit Kombëtar Qytetas Rixhin Qoshja tha për “Monitor” se mosdhënia e subvencionimit të bashkisë do të përkeqësojë cilësinë e shërbimit.
“Mosdhënia e subvencionimit të bashkisë për të kompensuar rënien e numrit të pasagjerëve sjell problematika në shërbim, pasi ky vendim i vendoste operatorët e transportit urban për zbatimin e disa kushteve që nga numri i kilometrave që duhet të përshkruanin. Duke mos marrë subvencionimin këta operatorë nuk janë të detyruar të përshkruajnë kilometrat e përcaktuara. Për këtë arsye nuk do të ketë cilësi shërbimi”, pohon z. Qoshja.
Shpërndarja e fondit me vlerë 1 milion euro për 11 operatorët e transportit urban kryeqytetas u miratua nga Bashkia e Tiranës në dhjetor të 2021. Shpërndarja e fondit kishte si qëllim kompensimin e rënies 55% të numrit të udhëtarëve në pandemi, sipas edhe studimit të GIZ për efektet e krizës në këtë sektor.
Operatorët deri tani kanë tërhequr vetëm 1 këst. Kësti i parë u shpërnda me 2 muaj vonesë, ndonëse pritej të niste që në muajin janar. Shpërndarja e kompensimit do të jetë për periudhë 6 mujore me vlerë 200,000 lekë/muaj për çdo operator.
Nga paketa e rezistencës sociale sektori i transportit urban do të mbështet me fondin 5 milion USD Fondi do të përdoret për të kompensuar 100 lekë/litër naftë të deklaruar si shpenzim pranë DPT, sipas një tavani mujor nevoje për secilin operator të transportit publik të udhëtarëve, qytetës, rrethqytetës e ndërqytetës të linjave, të licencuara nga DPSHTRR, MIE dhe Bashkitë, për një periudhë 3 mujore.
Fondi do të shpërndahet direkt çdo muaj për subjektet e transportit nga tatimet. Në këtë periudhë të rritjes të çmimit të naftës operatorë kanë reduktuar 50-55% numrin e autobusëve, pasi nuk arrijnë të përballojnë shtrenjtimin e lartë të karburanteve.
Më herët operatorët paralajmëruan për vështirësitë ekonomike në të cilat po ushtrojnë aktivitetin e shërbimit të transportit. Drejtori i transportit urban për linjën Kombinat-Kinostudio-Tufinë Kostandin Foni pohon se shpërndarja e fondit të paketës të rezistencës do të jetë lehtësi për një periudhë tranzitore, por për nxjerrjen e tyre nga kriza nevojitet marrja e masave fiskale. Kërkesat e operatorëve janë të njëjta me ato të kërkuara në nisje të pandemisë për të zbutur efektet nga rënia e numrit të pasagjerëve.
Edhe tani që po vuajmë rritjen e shpenzimeve nga shtrenjtimi i naftës Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon rimbursimin e TVSH-së në shitje, heqjen e akcizës të naftës 37 lekë/litër; heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër, si dhe rimbursimin e çmimit të biletës për kategoritë (Invalidë pune, të verbër, paraplegjik, tetraplegjik, studentët) të cilët udhëtojnë falas. /D.Azo
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor