Vendosni fjalën kyçe....

Nga komentet për djalin e Aqif Rakipit, rreziku nga armatimi i Serbisë dhe diskutimet me Sholtz – Deklaratat e Ramës sot


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët në mbyllje të vizitës së tij në Gjermani. Ai u pyet nga gazetarët lidhur me diskutimet që ka patur me kancelarin gjerman Olaf Scholz, njohjen e patentave shqiptare, për djalin e Aqif Rakipit, rrezikun në rajon nga armatimi i Serbisë dhe ndikimi i situatës së Ukrainës në Ballkan.

A e mbështet Scholz ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut?

Ai u pyet për takimin e tij me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe nëse e e ka mbështetjen e tij për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut lidhur me procesin e negociatave.

“Se kam kërkuar këtë thjesht i kam bërë me dije se ne kemi një qasje që deri në këshillin Europian të qershorit do jetë e pandryshuar, por në rast se përsëri do bllokohemi për shkak të Bullgarisë bazuar dhe në mbështetjen e gjerë që ka marrë nga opinioni publik pasi i tregova për këshillimin kombëtar, ne do ndryshojmë qasje dhe do flasim me një gjuhë tjetër për nevojën e Shqipërisë për t’u ndarë nga Maqedonia.

Kancelari e tha dhe në konferencë dhe në të dyja raundet e bisedimeve se është optimist për ndryshimin e kushtit të Bullgarisë. Unë nuk jam aq optimist por shpresoj të jem gabim dhe kancelari të ketë të drejtë.”– u përgjigj Rama.

Qëndrimi i Scholz për Ballkanin e Hapur

Rama po ashtu u pyet lidhur me mosmbështetjen e hapur të Scholz ndaj nismës së tij të Ballkanit të Hapur. Rama tha se nëse kancelari gjerman do të ishte kundër ai do ta shprehte atë.

“Po të ishte mos mbështetës nuk do përtonte ta thoshte as midis nesh as në publik. Kështu që kurrësesi nuk do thosha që është mosmbështetës.

Ndërkohë që përsa i përket mbështetjes së hapur, megjithëse të thënë ashtu siç e them unë, kjo është zgjedhje e komunikimit plotësisht e respektueshme.

Për më tepër që procesi i Ballkanit të Hapur, ka lindur dhe kur shpjegohet ekzaktësisht siç është sepse procesi i Berlinit po fillonte të humbte impaktin dhe ajo çfarë u vendos në tryezë nga procesi i Berlinit nuk u implementua kurrë. Përsa i përket atyre që janë në Tiranë, nuk e shoh problem, nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët. Por më intereson çfarë mësojnë shumica e shqiptarëve përmes Këshillimit Kombëtar.” – tha Rama.

Njohja e Patentave shqiptare

Kryeministri foli edhe për marrëveshjen e Shqipërisë dhe Gjermanisë për njohjen e patentave shqiptare. Rama u shpreh se kishte marrë komplimente nga pala gjermane lidhur me procesin.

“Përsa i përket marrëveshjes, është domethenëse jo vetëm për faktin se gjithë shqiptarët që banojnë këtu, ose që do kalojnë në rrugët e vendit me makinët e tyre, do kenë patentën shqiptare që do njihet e respektohet.

Njohja e patentës lidhet me gjithë procesin. Kur inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë së Gjermanisë, ku mbërritën në Shqipëri, ndërruan mendjen në shërbimin e transportit. Kemi marrë komplimente nga pala gjermane. Njohja e patentave nga Gjermania është një lloj certifikate e rëndësishme për shtetndërtimin dhe shtetfunksionimin.”-tha Rama.

Berisha futi Shqipërinë në NATO, po ju do a i hapni negociatat?

Një pyetje e gazetarëve duket se e nervozoi sot kryeministrin i cili u kërkoi të mos bëhen për humor.

Pyetja ishte: “Sali Berisha gjatë qeverisjes së tij Shqipëria fitoi liberalizimin e vizave dhe futi Shqipërinë në NATO. Po ju a do të hapni negociatat gjatë këtij mandati të tretë qeverisës?”.

Por Rama u përgjigj se kur i bënin këtë pyetje e kapte një gaz i papërmbajtshëm.

“Mos bëhemi për humor as ju as unë, këto nuk janë gjëra që ia jep Shqipërisë një person, qoftë ky I quajtur qoftëlarg apo qoftëafër por është një proces. Këto janë ngjarje që lidhen me vullnetet e vendeve të tjera sepse në raport me mua do ishin hapur me kohë. Ne e kemi merituar hapjen e negociatave 3-4 vite më parë, problemi është i atyre pasi ne i kemi plotësuar kushtet. Kur thoni kush e futi Shqipërinë në NATO, unë them se e futi Amerika.”– u përgjigj Rama.

Rama për djalin e Aqif Rakipit

I pyetur për vendimin e Departamentit të Thesarit Amerikan për sanksionet ndaj ish deputetit të PS-së Aqif Rakipi, Rama nuk preferoi të komentonte. Më saktë pyetja ishte për djalin deputet Orlando Rakipi, nëse Rama ndihej se kishte marrë vendimin e duhur për ta kandiduar.

“ Zgjodhët një kandidat që sot është deputet pa ndonjë kontribut në parti babai i të cilit është shpallur non grata, a ndiheni se keni marrë vendimin e duhur?”– ishte pyetja.

“Të vijmë deri në Berlin për të folur për kandidatët e PS në Tiranë më duket pak e sforcuar, kështu që kalojmë në pyetjen tjetër.”- u përgjigj Rama.

“Pse lodheni kot me pyetje”

Në konferencën për mediet, Rama u pyet përsëri për ish-deputeitn Aqif Rakipi, por edhe për çështjen e inceneratorëve dhe akuzat e presidentit Ilir Meta se të arrestuarit deri tani, për këtë çështje kanë patur mbrojtje politike.

Por Rama tha se këto çështje do i diskutojnë në Tiranë e mos të lodhen të bëjnë kot pyetje të tilla në Berlin.
“Tani nuk e kuptoj pse lodheni kot të bëni këto pyetje kur jemi në Berlin dhe unë jam këtu me ju për arsyen pse keni ardhur këtu. Këto janë pyetje që i takojnë katundit tonë të përbashkët, do t’i diskutojmë edhe këto pyetje në klubin tonë të katundit, ku ju do mblidheni bashkë me mua e do flasim se tani unë s’di çfarë të them.”-tha Rama.

Rreziku i luftës në Ballkan dhe armatimi i Serbisë

Rama u pyet nga gazetarët lidhur me rrezikun për Ballkanin Perëndimor nga Lufta në Ukrainë dhe nëse ndihet i shqetësuar për armatimin e Serbisë.

Por Rama mohoi të kishte shqetësim lidhur me këtë çështje.

 “Nuk jam i shqetësuar për armatimin në fjalë sepse nuk shoh arsye për t’u shqetësuar sot për sot dhe besoj që është më e rëndësishme që ne ti fryjmë të gjithë erërave të paqes e bashkëpunimit në rajon e të mbajmë sa më shumë bashkë Ballkanin Perëndimor edhe me ndihmën e mbështetjen e aleatëve strategjikë, sikundër Gjermania ka rol të posacme, e nuk shoh si një sistem mbrojtje nga raketat mund të jetë shqetësues për ne.

Sa i përket pjesës së Serbisë ka bërë dy hapa inkurajues në të dy votimet në Kombet e Bashkuara dhe është domethënës fakti që deri tani Ballkani është bashkë në pozicionet ndaj Rusisë.

Serbia ka një pozicion historik e tradicional të ndryshëm nga i yni, gjërat duhen parë në kontekst, duhet të jemi shumë të vendosur për ta cuar para procesin e paqes dhe bashkëpunimit se është me rëndësi të madhe dhe më shumë se sa dje për shkak të këtij konflikti që ka nisur në Ukrainë.”- u përgjigj Rama.

Do ketë vizitë në Kiev?

Ndërsa nëse ka planifikuar një vizitë për në Kiev lidhur me situatën, Rama tha se ka të tjerë para tij që meritojnë ta kenë këtë protagonizëm.

“Sa i përket vizitës në Kiev ka të tjerë para meje që meritojnë ta kenë këtë protagonizëm në rast se do më vijë radha mua patjetër që do e bëja me shumë respekt por nuk është momenti për t’u zënë radhën të tjerëve.”- tha Rama./Hashtag.al