Vendosni fjalën kyçe....

“SHBA po rrit monitorimin për abuzimet e të drejtave të njeriut në Indi” – Blinken


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po monitoronin atë që ai e përshkroi si rritje të abuzimeve të të drejtave të njeriut në Indi nga disa zyrtarë, në një qortim të rrallë të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni ndaj kombit aziatik.

“Ne angazhohemi rregullisht me partnerët tanë indianë për këto vlera të përbashkëta (të të drejtave të njeriut) dhe për këtë qëllim, ne po monitorojmë disa zhvillime të fundit në lidhje me Indinë duke përfshirë një rritje të abuzimeve të të drejtave të njeriut nga disa zyrtarë të qeverisë, policisë dhe burgjeve.” – tha Blinken në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së Lloyd Austin, ministrin e Jashtëm Indian Subrahmanyam Jaishankar dhe ministrin e Mbrojtjes të Indisë Rajnath Singh.

Blinken nuk dha hollësi të mëtejshme ndërsa Singh dhe Jaishankar, të cilët folën pas Blinken në konferencë, nuk komentuan çështjen e të drejtave të njeriut.

Vërejtjet e Blinken erdhën disa ditë pasi Kongresmenia e SHBA-së Ilhan Omar vuri në dyshim ngurrimin e supozuar të qeverisë amerikane për të kritikuar qeverinë e kryeministrit indian Narendra Modi për të drejtat e njeriut.

“Çfarë duhet të bëjë Modi ndaj popullsinsë muslimane të Indisë përpara se ne të ndalojmë së konsideruari ata partnerë në paqe?” Omar, i cili i përket Partisë Demokratike të Presidentit Joe Biden, tha javën e kaluar.

Kritikët e Modit thonë se partia e tij nacionaliste hindu në pushtet ka nxitur polarizimin fetar që nga ardhja në pushtet në 2014. Që kur Modi erdhi në pushtet, grupet hindu të krahut të djathtë kanë nisur sulme ndaj pakicave duke pretenduar se po përpiqen të parandalojnë konvertimet fetare. Disa shtete indiane kanë miratuar ose po shqyrtojnë ligje kundër konvertimit që sfidojnë të drejtën e mbrojtur me Kushtetutë për lirinë e besimit, shkruan Reuters.