Vendosni fjalën kyçe....

Tanket e vjetra gjermane mund të dërgohen në Ukrainë


‘Rheinmetall’, një nga prodhuesit kryesorë të armëve në Gjermani, është gati të fillojë dërgimin e tankeve në Ukrainë, tha shefi i kompanisë për gazetën ‘Handelsblatt’.

Armin Papperger zbuloi se kompania e tij po përgatitej të dërgonte deri në 50 modele ‘Leopard 1’ të çmontuara, me dorëzimin e parë të mundshëm brenda gjashtë javësh. Shefi i ‘Rheinmetall’ vuri në dukje se marrëveshja së pari duhet të marrë miratimin nga qeveria federale gjermane.

Qeveria ukrainase u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve të saj perëndimorë që t’i ofrojnë tanke dhe armatime të tjera të rënda për të kontrolluar ofensivën ruse.

Të hënën, Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tregoi se Berlini do t’i dëgjonte thirrjet e Kievit, duke vënë në dukje se ‘tani nuk është koha për justifikime, por më tepër koha për kreativitet dhe pragmatizëm’.

Ministri i Ekonomisë i vendit, Robert Habeck, nga ana e tij refuzoi të zbulonte nëse qeveria gjermane do të jepte leje për dërgimin e tankeve në Ukrainë, duke shtuar se ‘ne kemi rënë dakord që të mos flasim për dërgesat konkrete të armëve, llojet dhe mënyrat’.

Megjithatë, disa politikanë nga koalicioni qeverisës i Gjermanisë kanë vënë në pikëpyetje se sa të dobishme do të jenë tanket dhe automjetet e përmendura për Kievin, duke parë që trupat ukrainase janë trajnuar kryesisht për të përdorur pajisje ushtarake të prodhuara nga sovjetikët.