Biznesmeni Ylli Ndroqi beson se vendimi i Departamentit të Thesarit të SHBA-ve për të vendosur sanksione ndaj tij, është marrë mbi bazën e informacioneve të gabuara.
Në reagimin e tij përmes një njoftimi për medie, presidenti i “Yldon Media Group” shprehet se do të kërkojë heqjen e emrit nga lista.
“Unë besoj në vlerat mbi të cilat janë krijuar dhe funksionojnë SHBA, të cilat janë universale. Po ashtu, duke vlerësuar që ky vendim është marrë mbi bazën e informacioneve të gabuara, duke besuar fort në drejtësinë e vendimmarrjes së institucioneve të SHBA, do të përdor të drejtën time për të kërkuar heqjen e emrit nga lista duke vënë në dispozicion të autoriteteve çdo informacion që ato të kenë nevojë.
Vlerësoj me rëndësi të sqaroj publikun se sipas legjislacionit amerikan vendosja e emrit në këtë listë është e rishikueshme dhe nuk ka të bëjë me asnjë nga rastet e mëparshme në Shqipëri.
Shpreh besimin që ky vendim do të rishikohet dhe emri do të hiqet nga kjo listë.”– shkruan Ndroqi.
Biznesmeni thekson se ai ka qenë dhe mbetet mbështetës i reformave të kryera në vend duke përfshirë Reformën në Drejtësi dhe mbi të gjitha është mbështetës i interesave të SHBA në vend dhe më gjerë.
Kujtojmë se ditën e hënë, Departamenti i Thesarit Amerikan njoftoi vendosjen e sanksioneve të rënda ekonomike ndaj ish-deputetit socialist Aqif Rakipi si dhe biznesmenit Ylli Ndroqi.
Ata akuzohen për korrupsion, shantazhe, përvetësim pronash, rryshfet e pjesëmarrje në krimin e organizuar. Dy shqiptarët ishin në mesin e 7 individëve nga Ballkani Perëndimor, ndaj të cilëve u morën masa me argumentin se “kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese.”
Departamenti i Shtetit gjithashtu ka marrë masa, duke përfshirë ndalimin e vizave për tre zyrtarë nga dy prej vendeve të Ballkanit: Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.
Ky vendim prek deputetin boshnjak Asim Sarajlic, kryeprokuroren boshnjake Gordana Tadiç si dhe ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski. Kështu Gruevskit, Sarajlicit e Tadiçit dhe familjarëve të tyre u ndalohet hyrja në SHBA.
Reagimi i Plotë i Ylli Ndroqit:
Me keqardhje mësova sot lajmin se unë Ylli Ndroqi jam futur në listën e Departamentit të Thesarit të SHBA-ve. Lidhur me këtë lajm dëshiroj ti bëj me dije publikut si vijon:
Kam respektuar ligjet e RSH duke kontribuar për ekonominë e vendit. Vlerësoj të ndaj me publikun faktin se nuk kam mbajtur asnjë pozicion në administratën shtetërore.
Unë besoj fort tek organet e drejtësisë dhe prej 2 vitesh po mbroj të vërtetën time para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe kam besim që ajo do të vendosë si një gjykatë e pavarur dhe e krijuar me ligj.
Kam qenë dhe mbetem mbështetës i reformave të kryera në vend duke përfshirë Reformën në Drejtësi dhe mbi të gjitha jam dhe mbetem mbështetës i interesave të SHBA në vend dhe më gjerë dhe besoj fort që miqësia midis vendit tonë dhe SHBA është e një rëndësie thelbësore dhe bazohet në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Unë besoj në vlerat mbi të cilat janë krijuar dhe funksionojnë SHBA, të cilat janë universale. Po ashtu, duke vlerësuar që ky vendim është marrë mbi bazën e informacioneve të gabuara, duke besuar fort në drejtësinë e vendimmarrjes së institucioneve të SHBA, do të përdor të drejtën time për të kërkuar heqjen e emrit nga lista duke vënë në dispozicion të autoriteteve çdo informacion që ato të kenë nevojë.
Vlerësoj me rëndësi të sqaroj publikun se sipas legjislacionit amerikan vendosja e emrit në këtë listë është e rishikueshme dhe nuk ka të bëjë me asnjë nga rastet e mëparshme në Shqipëri.
Shpreh besimin që ky vendim do të rishikohet dhe emri do të hiqet nga kjo listë.
Po ashtu do t’ju mbaj në dijeni për hapat e mëtejshme.