55-vjeçari Nazmi Bandulla ndodhej në një lokal afër banesës së tij në momentin kur u ekzekutua mëngjesin e sotëm.
Sipas “News 24” është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një makinë. Më pas ekzekutorët, janë larguar në drejtim të paditur.
Ngjarja e rëndë tronditi Shkodrën mëngjesin e sotëm.
“Rreth orës 08:15, në lagjen ‘Partizani’, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 55 vjeç, banues në lagjen ‘Partizani’.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”- njoftoi Policia.
Bandulla nuk është një emër i panjohur, pasi dhe më herët i ka shpëtuar një atentati, pasi atij i ishte vendosur një sasi tritoli në makinë në vitin 2020. Ngjarja ndodhi më 26 dhjetor të atij viti, kur një sasi tritoli i ishte vënë mjetit tip fouristradë X5 të Bandullës që ishte i parkuar pranë shtëpisë së tij. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar.
Bandulla ishte një person me precedentë të mëparshëm penalë, për konflikte brenda familjes pasi kishte kërcënuar të vëllanë me armë.