Vendosni fjalën kyçe....

BE u vihet pas aseteve ruse


Europol dhe agjenci të tjera të BE-së janë bashkuar me anëtarët e bllokut për të lehtësuar hetimet penale mbi asetet e individëve dhe subjekteve të sanksionuara lidhur me ofensivën e vazhdueshme ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

‘Operacioni Oscar’” do të mbështesë gjithashtu hetimet nga vendet e BE-së për shkeljet e supozuara të kufizimeve ekonomike dhe tregtare të vendosura ndaj Moskës, njoftoi Europol të martën.

Operacioni do zgjasë të paktën një vit dhe do përfshijë një sërë hetimesh paralele. Në shumë mënyra është i ngjashëm me ‘Operacionin Sentinel’, i cili u krye gjatë pandemisë Covid-19 për të trajtuar mashtrimin kundër fondeve të rimëkëmbjes së BE-së.

Si pjesë e ‘Operacionit Oscar’, Europol planifikon të qendërzojë e analizojë të dhënat që vijnë nga shtetet anëtare ‘për të identifikuar lidhjet ndërkombëtare, grupet kriminale dhe të dyshuarit, si dhe tendencat dhe modelet e reja kriminale’.

Agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së do të mbështesë gjithashtu hetimet për asetet e sanksionuara financiarisht duke ofruar koordinim operacional e ekspertizë teknike.

Agjencia e bashkëpunimit për drejtësinë penale të bllokut ‘Eurojust’ planifikon të ofrojë ndihmë ligjore për anëtarët e bllokut gjatë operacionit, ndërsa agjencia e kontrollit kufitar ‘Frontex’ do ndihmojë duke rritur kontrollin ndaj individëve të sanksionuar, të cilët mund të përpiqen të hyjnë në BE nga ajri, toka ose deti.