Ish-kryeministri Sali Berisha në mbyllje të mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit në një deklaratë për mediat tha se u diskutua për procesin që po zhvillohet deri në zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike.
Berisha tha se procesi i bashkimit po ecën. Ai shigjetoi Enkeljd Alibeajn për të cilin tha se telefoni i tij i prishur nuk do funksionojë për të penguar procesin e bashkimit.
“Mbledhja përfundoi. U diskutua gjerësisht mbi ecurinë e procesit deri tani. U vendos që auditi të funksionojë në tërë procesin. Fryma e pajtimit dhe bashkëpunimit në bazë është me të vërtetë shumë e mirë. Telefoni i prishur i Enkelejdit që marrin persona të caktuar dhe u thonë që të mos bashkëpunojnë nuk po e pengon dot këtë proces, po ecën mjaft mirë.
Shqetësimet e ligjshme të deputetëve objektive që u ngritën për defekte të caktuara në degë të caktuara do merren masa që të korrigjohen dhe të zgjidhen, t’u jepet zgjidhje. Pra, mund të them se po ecet drejt Kuvendit me transparencë të madhe dhe ecuri të mbarë”, tha Berisha.