Vendosni fjalën kyçe....

Bizneset në treg të lirë, ERE miratoi tarifat për tre muaj


Enti Rregullator i Energjisë miratoi këtë të mërkurë çmimet për biznesin në tregun e lirë, të cilat furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit. Tarifat u miratuan për një periudhë tre mujore janar-shkurt-mars.

Lidhur me bizneset të lidhur me tension 35 kilovolt ERE miratoi një çmim prej 33,6 lekë për muajin janar, 32.55 lekë për muajin shkurt dhe 32.9 lekë për muajin mars.

Ndërkohë që për bizneset e lidhur me tensionin 20, 10 dhe 6 kilovolt, me të cilat Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) ka bërë aplikimin për furnizim me një tarifë 18.8 lekë, Enti ka vendosur të bëjë një diferencim ku për tensionet të lidhura 20 kilovolt tarifa është ajo e propozuar nga FMF, pra 18.8 lekë për të tre muajt respektiv, ndërkohë që për bizneset e lidhura në 10 dhe 6 kilovolt tarifa është vendosur të jetë 19.6 lekë për muajt janar-mars.

Bizneset të cilat janë të lidhura në tension prej 20, 10 dhe 6 kilovolt në tregun e liberalizuar në janar të këtij viti, për shkak të situatës së çmimeve, këto biznese po furnizohen me një tarifë preferencialë, i cili rezulton i tillë për shkak të furnizimit të një pjesë të sasisë së energjisë nga Korporata Energjetike Shqiptare (KESH), pra kjo e fundit ja jep FMF me një çmim 12 lekë dhje mbi të shtohen kostot e tjera që nxjerrin çmimin përfundimtar, si dhe nga blerjet në tregun e lirë për pjesën tjetër të energjisë.

Për bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt çmimi për tre muajt janar-mars është gati tre herë më i lartë sesa çmimi i të njëjtës periudhë të një viti më parë, ndërkohë që për bizneset e lidhura në tension 20, 10 dhe 6 kv çmimi pothuajse është dyfishuar për të njëjtën periudhë të përmendur më lart.

Në vitin 2018 dolën në treg të lirë mbi 90 biznese të lidhura në tension 35 kilovolt dhe 7470 biznese në tension 20, 10 dhe 6 kv, të njohura ndryshe si pjesërisht të liberalizuara.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor