Vendosni fjalën kyçe....

Finlanda e Suedia s’e zgjasin më, mund të anëtarësohen në NATO që këtë verë


Finlanda dhe Suedia mund t’i bashkohen NATO-s që në fillim të kësaj vere në përgjigje të sulmit të vazhdueshëm ushtarak të Moskës në Ukrainë, sipas një raporti nga gazeta britanike ‘The Times’.

Kërkesa finlandeze për t’u bashkuar me bllokun pritet të dorëzohet në qershor, me Suedinë që do e ndjekë menjëherë pas kësaj, thanë zyrtarë të paidentifikuar amerikanë për gazetën britanike.

Anëtarësimi i mundshëm i dy vendeve nordike ishte ‘një temë bisede dhe sesionesh të shumta’ gjatë samitit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel javën e kaluar, thanë burimet. Ministri i Jashtëm i Finlandës Pekka Haavisto dhe homologia e tij suedeze Ann Linde ishin të dy të pranishëm në bisedimet dyditore.

Rusia, Finlanda dhe Suedia kanë të gjitha qasje në Detin Baltik, me një kufi të përbashkët tokësor ruso-finlandez që përfshin rreth 1,340 km.

Një zyrtar i lartë amerikan pohoi se ofensiva ruse në Ukrainë ishte ‘një gabim masiv strategjik për Presidentin rus Vladimir Putin’ pasi i bëri Helsinkin dhe Stokholmin të vënë në dyshim politikën e tyre për të mos iu bashkuar asnjë aleance ushtarake.

Moska e kundërshton zgjerimin e NATO-s, por përfshirja e Finlandës dhe Suedisë në bllok nuk do të bëhet një kërcënim ekzistencial për të, tha sekretari i shtypit i Kremlinit Dmitry Peskov të premten për Sky News. NATO është ‘përshtatur për konfrontim dhe qëllimi kryesor i ekzistencës së saj është të përballet me vendin tonë’, tha Peskov.