Vendosni fjalën kyçe....

Kievi shpjegon vendimin për të kundërshtuar vizitën e presidentit gjerman


Ukraina do mirëpriste çdo zyrtar të lartë të huaj për sa kohë që ata të vijnë me ‘oferta specifike që kanë të bëjnë qoftë me mbështetjen ekonomike apo ushtarake’, tha një ndihmës i presidentit Volodymyr Zelensky për gazetën ‘Die Welt’, duke shpjeguar vendimin e Kievit për të kundërshtuar një vizitë nga presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier.

“Çdo vizitë që bëhet në ditët e sotme përfundon me një rezultat specifik.” – i tha gazetës gjermane nënkryetari i administratës së presidentit ukrainas, Igor Zhovkva, duke shtuar se Kievi do të donte shumë të shihte ndonjë politikan të rangut të lartë që vjen në Ukrainë duke sjellë me vete me oferta të qarta. Ai më pas vazhdoi të thoshte se, në rastin e Gjermanisë, ajo mund të vendoste një ‘embargo ndaj naftës ruse’ ose të ofronte garanci për pranimin e Ukrainës në BE ose furnizime me armë të rënda.

Ndihmësi presidencial la të kuptohet gjithashtu se Berlini mund të mos jetë aq i palëkundur në mbështetjen e tij për Ukrainën sa do të dëshironte Kievi. Të gjitha vendet që janë miqësore ndaj Ukrainës ‘tregojnë një qëndrim të ngjashëm ndaj Rusisë dhe udhëheqjes ruse’, tha Zhovkva, duke shtuar se ata ‘nuk bëjnë asnjë përjashtim për sektorin e energjisë, sektorin bankar apo anëtarë të caktuar të politikës ruse’.

Zyrtari i Kievit ka pohuar gjithashtu se ‘shumica e gjermanëve, deri në 70% e popullsisë, duan ta shohin Ukrainën në BE tani’, por Berlini është ende ‘ngurrues për të mbështetur pranimin e përshpejtuar të Ukrainës’ në bllok. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se Kievi do të mirëpresë kancelarin gjerman Olaf Scholz në çdo kohë.

Presidenti Frank-Walter Steinmeier ishte gati të vizitonte Kievin së bashku me homologët e tij nga Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania të mërkurën. Megjithatë, ai tha të martën se ai ‘me sa duket nuk ishte i kërkuar’ në kryeqytetin ukrainas. Berlini nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për mospërfilljen deri më tani.

Tabloidi gjerman ‘Bild’ raportoi më herët se presidenti nuk ishte i mirëpritur në Kiev për shkak të lidhjeve të supozuara të tij me Rusinë. Në Ukrainë, politikani është ende i lidhur me përpjekjen e vitit 2016 për të zbatuar marrëveshjet e Minskut në Donbass, e njohur si ‘formula Steinmeier’. Ai gjithashtu mbështeti gazsjellësin ‘Nord Stream 2’ që lidh Gjermaninë dhe Rusinë, i cili tani është anuluar nga Berlini.

Sipas formulës së Steinmeier, dy rajonet e diskutueshme Donetsk dhe Lugansk, të cilat Moska tani i njeh si shtete të pavarura, supozohej të mbanin zgjedhje sipas ligjeve të Ukrainës dhe mbikëqyrjes së OSBE-së. Më pas ata do të merrnin statusin e posaçëm vetëqeverisës brenda Ukrainës, duke ia kthyer kontrollin e kufijve të tyre, Kievit.