Vendosni fjalën kyçe....

Nuk u pranua rekursi i Lefter Kokës, zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Lartë



Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e marrë për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Kokën, pasi ky i fundit i bëri rekurs vendimit të apelit të GJKKO-së për ta lënë në burg.  

Kështu sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, ish-ministri i Mjedisit do të vazhdojë të qëndrojë në qeli.

Gjykata ka nënvizuar se nuk është një gjykatë fakti dhe nuk merret me pretendimet për vlerësim të gabuar të provave. Sipas saj Koka ka paraqitur si shkaqe rekursi të njëjtat pretendime si në ankimin te Gjykata e Apelit. Sipas gjyqtarëve të lartë asnjë nga pretendimet e ngritura në rekurs nuk janë të ligjshme.

 “Në lidhje me pretendimet për kushtet shëndetësore të rënduara të kërkuesit, që nuk përligjin vijueshmërinë e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, Kolegji vlerëson se këto pretendime janë shqyrtuar një herë dhe kanë marrë përgjigje të arsyetuar nga gjykata e apelit. Gjatë shqyrtimit të rekursit në dhomën e këshillimit nuk konstatohet se ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural në vendimmarrjen e kësaj gjykate, vendimi i së cilës është rekursuar në Gjykatën e Lartë.

Sa më sipër, Kolegji arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga kërkuesi Lefter Koka kundër vendimit nr. 01, datë 02.01.2022 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nuk përmban asnjërin prej shkaqeve të parashikuara në nenin 433 të Kodit të Procedurës Penale, prandaj si i tillë ai nuk duhet të pranohet.”– thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Në rekurs Koka ka kërkuar heqjen e masës së sigurisë arrest me burg për shkak të problemeve shëndetësore. Por sipas Gjykatës së Lartë, organi i akuzës nuk ka arsyetuar në asnjë pjesë të kërkesës për vendosjen e masës së sigurimit, në lidhje me papërshtatshmërinë e masave të tjera të sigurimit. Edhe pse është detyrim ligjor që të argumentojë se pse masat e tjera të sigurisë nuk janë të përshtatshme për t’u aplikuar.

Kliko këtu për vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë.

SPAK e akuzon Kokën se ka përfituar ryshfet në vlerën e 3.7 milionë eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij.

Hetimet zbuluan se Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. Vetëm pak javë më parë, në pranga për të njëjtën aferë ra edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Mjedisit, Alqi Bllako.