Vendosni fjalën kyçe....

Përralla e madhe e kanabisit


Nga Klodian Tomorri

Vitin e kaluar i gjithë tregu legal i kanabisit medikal në Europë ishte 400 milionë euro. A mundet një treg 400 milionë euro të servirë mrekullinë ekonomike për Shqipërinë ashtu siç thotë qeveria dhe kryeministri? Le të bëjmë një krahasim të thjeshtë.

Tregu i domateve në Europë sot është 8.5 miliardë euro, ose 20 herë më i madh se sa ai i kanabisit mjekësor. Tani qeveria duhet të na sqarojë diçka. Pse nuk janë pasuruar shqiptarët duke i shitur domate Europës, por do pasurohen nga kanabisi? 

Por narrativa qeveritare e keqinformimit nuk ndalet këtu. Kryeministri deklaroi se vitin tjetër do të shihet mundësia e legalizimit edhe për kanabisin rekreativ, një front që sipas tij do të krijonte mijëra vende pune. Tani shifrat ndryshojnë. 

Sipas Agjencisë Europiane të Drogërave, në vitin 2019 trafiku i kanabisit në Europë gjeneroi 12 miliardë euro. Në pamje të parë kjo mund të duket një shifër sugjestionuese. Por ka një pyetje thelbësore. Ky është trafik. Si do pasurohet Shqipëria nga legalizimi i kanabisit rekreativ në Shqipëri kur vendet e tjera e kanë atë të paligjshëm. Me pak fjalë kujt do t’ia shesë kanabisin kryeministri? Ajo që do të ndodh nga legalizimi është e qartë. Shqiptarët do të shqepen duke i shitur kanabis njëri tjetrit brenda vendit.

Së dyti, edhe nëse ndodh mrekullia dhe të gjitha vendet e BE-së vendosin ta legalizojnë kanabisin në të njëjtën ditë me Shqipërinë, çmimet e këti produkti do të ulen ndjeshëm. Sot tregu 12 miliardë euro i kanabisit në BE ka brenda primin e rrezikut të trafikimit, ofertën e kufizuar, kostot e korruptimit të policëve, agjentëve doganorë, punonjësit të porteve etj etj. Me legalizimin, çmimet do të ulen dhe tregu do të deflatohet në mënyrë drastike, ndoshta duke u bërë më i vogël edhe se biznesi i domateve.

Por edhe nëse tregu i kanabisit të mbetet sërish në miliarda euro ka prapë një pyetje. Pse do të jetë Shqipëria përfituesja më e madhe e tij? A kanë fermerët shqiptarë teknologjinë me të mirë për të konkurruar me vendet e tjera europiane në prodhimin e kanabisit në kosto dhe cilësi? Për këtë mjafton të shihet se sa konkurrojnë në produktet e tjera.

Së fundmi edhe nëse Shqipëria ia del mban të marrë një pjesë te tregut hipotetik të legalizuar të kanabisit në Europë, me çfarë kostosh do të vijë kjo? Cilat do të jenë pasojat në shëndetin publik të popullatës dhe kostot mbi sistemin shëndetësor të vendit? Por ky është një debat që duhet ta bëjnë mjekët. Në rrashin ekonomik, pasurimi i Shqipërisë përmes kanabisit është një përrallë e madhe. Ose me mirë një fluturim me degë kanabisi mbrapa.

Ky është debati i vërtetë i kanabisit. Historitë me kanabisin mjekësor janë keqinformime të qëllimshme. Legalizimi për qëllime kurative nuk ka nevojë fare të debatohet. Qeveria e ka detyrim që t’ia mundësojë atë pacientëve. Dhe për këtë nuk duhet as referendum as këshillim absurd kombëtar. Është njësoj si të bësh këshillim me pyetjen a duhet t’u ofrohet paracetamoli atyre që kanë nevojë. 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e MCN