Presidenti rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë akuzat se trupat ruse ishin përgjegjëse për vrasjen e civilëve në periferi të Kievit, Bucha.
Ai i bëri komentet gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij bjellorus Alexander Lukashenko të martën.
“Kam folur shpesh me kolegë nga vendet perëndimore deri më tani. Dhe kur më thonë ‘Bucha’, unë i pyes: ‘A keni qenë ndonjëherë në Raka? A e keni parë sesi ky qytet sirian u rrafshua plotësisht nga aviacioni amerikan?’
Kufomat janë shtrirë aty duke u dekompozuar në gërmadha prej muajsh. Dhe askush nuk u interesua për këtë.”- tha Putini sipas RT-së, duke shtuar se vrasjet masive të civilëve nga Perëndimi në Afganistan ishin pritur me të njëjtën heshtje.
Më pas shtoi: “Nuk kishte një heshtje të tillë kur bënin provokime në Siri, kur imagjinonin përdorimin e armëve kimike nga qeveria e Asadit. Më pas doli që ishte e rreme, e njëjta histori e rreme është në Bucha.”
Presidenti rus u shpreh gjithashtu se shërbimet e inteligjencës së vendit të tij kanë marrë tashmë materiale nga homologët e tyre bjellorus që vërtetojnë se vrasja masive në Bucha, e cilësuar kryesisht si “masakër“, ishte inskenuar. Putin, megjithatë, nuk dha detaje mbi materialet që ai përmendi.