Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Drejtësia duhet t’i hetojë personat e shpallur “non grata”


Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se drejtësia duhet të hetojë personat e shpallur “non grata” nga SHBA, duke iu referuar kështu edhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Nëse ka një akuzë kaq të rëndë nga DASH, detyra e drejtësisë do të ishte që të kishte vepruar prej kohësh dhe të kishte nisur hetimet.”– tha Basha duke iu përgjigjur pyetjes nëse SPAK duhet të nisë hetimet për personat e shpallur non grata.

Në një dalje për mediet, Basha u shpreh për Berishën se ai është një person me standarde të dyfishta. Kjo pasi përgëzon DASH-in për raporte me kritika për qeverinë, por nga ana tjetër nuk mund të kërkojë që  personat “non grata” si Tom Doshi, Aqif Rakipi e Vangjush Dako, të mos jenë pjesë e politikës.

“Ne po flasim për një krizë artificiale që e ka burim te standardet e dyfishta të një njeri që nga njëra anë vlerëson DASH për raportin kritik për qeverinë dhe shkel çdo fjalë e çdo premtim për të mos e tërhequr zvarrë PD në betejën që ai i ka shpallur SHBA. Kjo na dëmton kredibilitetin. Ne nuk mund të themi që Tom Doshi, Aqif Rakipi, Vangjush Dako duhet të jenë jashtë politikës. Ai duhet të bëjë një hap pas dhe të çlirojë PD.

Unë në funksion të kësaj bëra hapin tim dhe sot shqiptarët e kuptojnë se kush është gati për bashkim. Njerëzit duhet ta dinë që një qeveri e përgjegjshme. Institucionet e drejtësisë duhet ta kuptojnë që në këto momente kritike për vendin, është detyra e tyre të veprojnë pa hezitim dhe t’i japin fund kulturës së pandëshkueshmërisë, për t’i shkuar te koka atyre skandaleve të mëdha korruptive siç janë inceneratorët.”– tha Basha.