Deputeti Dashamir Shehi ka kritikuar ish-kryeministrin Sali Berisha duke thënë se ai po bën të njëjtën gjë që bënte edhe Lulzim Basha më parë.
Ndërsa ishte i ftuar në programin “Ditari” në televizionin “A2 CNN”, Shehi tha se Berisha po ngutej për të bërë kongresin e partisë për të treguar se ai është i pari.
“Lulzim Basha duhej të ishte tërhequr që pas datës 25. Bëri gabim dhe e futi partinë në këtë lloj sherri që nuk reflektoi dhe nuk bëri kurrë një analizë politike, nuk u mor vesh kurrë pse i humbim zgjedhjet, pse dalim nga zgjedhjet. Basha bëri një kongres shpejt e shpejt, e mbani mend? E bëri për t’i vënë vulën asaj që kishte mbetur nga PD-ja.
Të njëjtën gjë po bën edhe Berisha, ai po bën partinë e vet tani. E thjeshtë fare. Kush nuk e kupton këtë nuk merret më me politike. Kongresin do ta bëjë në datë 30 prill dhe siç e shikoni, edhe Berisha ka ngutje të madhe, të mbyllë letrat se ‘jam i pari unë’.” – deklaroi Shehi.
Ai shtoi se ribashkimi është një “proces shumë më i gjatë se kaq”. Shehi sugjeroi që demokratët të tregojnë durim dhe të presin deri në fund të verës për primaret në bazë.
“Këto gjysma zgjedhjesh që po bëjnë këta nëpër rrethe, janë e njëjta gjë që bënte Basha. Unë do t’i ftoja që të kenë durim, të shkojnë deri në fund të verës, të bëhen primaret në bazë dhe të shprehin njerëzit mendimet e tyre. Jo me këtë vrull. Se këta janë triumfatorët e rinj. E po e trajtojnë grupin tjetër ashtu sikur grupi tjetër i trajtoi ata më parë.
Unë nuk e shikoj të këndshme situatën. Në datën 30 prill do t’i vendosin një kësulë formale PD-së, por rezultati kam frikë se do të jetë i njëjtë me atë të viteve të shkuara.”– vijoi Shehi.