Gabriel Escobar ka komentuar për mediet greke situatën në Partinë Demokratike.
Gjatë një interviste, i dërguari i SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor ka deklaruar se është e trishtë ajo që po ndodh në Partinë Demokratike në Shqipëri.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me PD. Një demokraci e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Është e trishtueshme ajo që i ndodhi PD në këtë moment. Shpresoj që anëtarët e PD dhe populli shqiptar të refuzojnë të kaluarën dhe të shikojnë nga e ardhmja. Shpresoj që ajo që ndodhi të mos rikthejë ditët e këqija, kur korrupsioni karakterizonte pikëpamjen e shumë njerëzve në rajon për Shqipërinë.”- shprehet ai.
Shqetësimi i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor
Escobar në këtë intervistë u shpreh se shqetësimi i madh amerikan për Ballkanin Perëndimor bazohet në ndikimin e vendeve të treta si Rusia dhe Kina.
“Jam shumë i shqetësuar për ndikimet dashakeqe ruse dhe kineze. Unë nuk e përfshij Turqinë në këtë kategori. Turqia është një anëtare e NATO-s, ajo ndihmon në ruajtjen e paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjithashtu ka punuar shumë për të sjellë investime në rajon.”- tha ai.
Sipas tij, qëllimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor “është të destabilizojë qeveritë në mënyrë që t’i largojë më tej ato nga Evropa. Dhe këtë e bëri përmes dezinformatave, me ndikim negativ në partitë politike, madje edhe me atentat. Ndikimi rus në Ballkan nuk sjell investime apo ndihmë. Kina ka qenë një partner ekonomik shumë i vështirë. Ndikimi i saj është absolutisht ekonomik. Ajo ka bllokuar disa vende në borxh negativ.”
Escobar shton se përgjigja për të dyja është “integrimi më i ngushtë në BE dhe bashkëpunimi më i ngushtë BE-SHBA për të larguar ndikimin keqdashës rus.”