Avokatët malajzianë thonë se përdorimi i një sistemi të AI (Inteligjenca Artificiale) në sistemin e drejtësisë së vendit është ‘jokushtetues’ dhe pretendojnë se askush nuk e kupton vërtet se si funksionon.
Kjo pasi gjykatat në dy shtete të Malajzisë nisën një program testimi për të përdorur AI për të ndihmuar gjyqtarët në dhënien e dënimeve për trafikantët e drogës dhe përdhunuesit.
Softueri i AI, i zhvilluar nga firma shtetërore e qeverisë ‘Sarawak Information Systems’, u prezantua për herë të parë në vitin 2020 në dy gjykata në Sabah dhe Sarawak në ishullin Borneo si pjesë e një skeme pilot për të ekzaminuar efikasitetin e inteligjencës artificiale në rekomandimet e dënimit. Testi ishte caktuar të përfundonte në prill 2022.
Gjykata në Sabah ishte e para në vend që përdori AI për të ndihmuar në dhënien e një dënimi gjyqësor kur dënoi dy burra për posedim droge në vitin 2020. Megjithatë, Hadid Ismail – një avokat me 20 vjet përvojë që përfaqësonte të pandehurit – e kundërshtoi dënimin, duke pretenduar se sistemi po përdorej para gjykatësve, avokatëve dhe publikut pa pasur asnjë mundësi për të kuptuar plotësisht mënyrën se si funksiononte.
“Kodi ynë i Procedurës Penale nuk parashikon përdorimin e AI në gjykata…Unë mendoj se është antikushtetues.” – tha Ismail për Reuters.
“Në dënimin e shkelësve, gjyqtarët nuk shikojnë vetëm faktet e çështjes, ata gjithashtu marrin parasysh faktorët lehtësues dhe përdorin diskrecionin e tyre. Por AI nuk mund të përdorë maturi në këtë drejtim.” – tha ai, duke shtuar se dënimi i dhënë nga AI ndaj një prej klientëve të tij për posedim të vogël droge ishte shumë i ashpër, 12 muaj burg për posedim të 0.01 gramëve metamfetamine.
Këshilli i Avokatëve të Malajzisë, i cili përfaqëson avokatët, ka shprehur gjithashtu zhgënjimin e tij me programin pilot të AI. Një institut i mendimit malajzian, Instituti i Kërkimeve Khazanah, gjithashtu paraqiti një raport mbi sistemin në vitin 2020, duke argumentuar se masat lehtësuese të instaluara në softuerin e AI, si heqja e racës si një variabël, nuk ia dolën të bënin sistemin perfekt.
Ata gjithashtu vunë në dukje se sistemi ishte ‘disi i kufizuar në krahasim me bazat e të dhënave të gjera të përdorura në përpjekjet globale’ pasi algoritmi i AI ishte stërvitur vetëm duke përdorur një grup të dhënash prej pesë vitesh nga 2014 deri në 2019.
Një zëdhënës i Shefit të Gjykatës Federale deklaroi se përdorimi i inteligjencës artificiale në gjykata ishte “ende në fazën eksperimentale”, por nuk pranoi të komentojë më tej mbi funksionimin e sistemit.
Simon Chesterman, profesor i së drejtës në Universitetin Kombëtar të Singaporit dhe drejtor i lartë në AI Singapore, një program i drejtuar nga qeveria, këmbëngul se teknologjia ka potencialin për të përmirësuar efikasitetin në sistemin e drejtësisë penale, por ka pranuar se legjitimiteti i sistemeve të tilla varet jo vetëm nga saktësia e vendimeve të marra, por edhe nga mënyra e marrjes së tyre.
Në Sabah, Ismail apeloi dënimin e ashpër të klientit të tij, i cili ishte rekomanduar nga AI, dhe gjyqtari që kryesonte çështjen përfundimisht e pranoi atë.
Megjithatë, Ismail ka paralajmëruar se shumë avokatë të tjerë, veçanërisht ata të rinj, mund të vendosin të mos e sfidojnë sistemin e AI, duke dënuar potencialisht klientët e tyre me dënime tepër të ashpra.
“Inteligjenca artificiale vepron si një gjyqtar i lartë, gjyqtarët e rinj mund të mendojnë se është vendimi më i mirë dhe ta pranojnë atë pa diskutim.” – tha Ismail.