Vendosni fjalën kyçe....

‘Lufta e Ftohtë’ nën diellin përvëlues, si po shpërthen një konflikt i ri i rrezikshëm në Afrikë


Nga Robert Inlakesh

E quajtur “Lufta e Ftohtë” e re e Afrikës së Veriut, tensionet midis Marokut dhe Algjerisë fqinje kërcënojnë të përshkallëzohen dhe pasojat e kësaj kanë të bëjnë shumë më tepër me ndërhyrjen perëndimore në punët e dy vendeve sesa duket me sy  të lirë.

Në gusht të vitit 2021, ministri i Jashtëm i Algjerisë, Ramdane Lamamra, njoftoi se Algjeri zyrtar po ndërpret të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Rabatin.

“Mbretëria marokene nuk i ka ndalur kurrë veprimet e saj armiqësore kundër Algjerisë.” – tha ai në një konferencë shtypi në atë kohë. Algjeria e justifikoi lëvizjen e saj më tej duke përmendur shembuj, të tillë si përdorimin nga ana e Marokut të programit të spiunimit ‘Pegasus’ kundër zyrtarëve algjerianë, mbështetjen e grupeve terroriste, duke dështuar në respektimin e marrëveshjeve dypalëshe, normalizimin e lidhjeve me Izraelin dhe kundërshtimin e angazhimit diplomatik për çështjen e Saharasë Perëndimore. Rabati i ka mohuar shumicën e akuzave të ngritura kundër tij nga qeveria algjeriane.

Tensionet u përshkallëzuan përsëri më 31 tetor, kur presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune njoftoi përfundimin e kontratës së tyre të furnizimit me gaz me Rabatin. Kjo çoi në një mungesë të raportuar të gazit si në Marok ashtu edhe në Spanjë, e cila më parë kishte marrë furnizime me gaz përmes tubacionit Gazoduc Maghreb Europe (GME), pavarësisht pretendimeve të bëra nga zyrtarët marokenë se masa do të kishte pak ndikim.

Të nesërmen, sulmet e supozuara me dron të kryera nga Maroku shënjestruan drejtpërdrejt kamionë algjerianë pranë kufirit Mauritanian me rajonin e diskutueshëm të Saharasë Perëndimore. ‘Sulmi barbar’, siç përshkruhet nga Ennahar, media kombëtare e Algjerisë, vrau 3 algjerianë dhe krijoi një shpërthim të madh zemërimi nga qeveria algjeriane.

Megjithëse shumë nga akuzat e bëra kundër Marokut nga Algjeria janë mohuar fuqishëm, ato megjithatë kanë një ndikim në perceptimin publik të të dy palëve. Një shembull i akuzave të tilla është një njoftim i 13 tetorit në të cilin media shtetërore algjeriane pretendonte se “Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Kombëtare arriti të pengojë një komplot konspirativ që daton në vitin 2014”.

Faji për sulmin, sipas autoriteteve, ishte ‘entiteti sionist (Izraeli)’ dhe një ‘vend i Afrikës së Veriut’, i interpretuar gjerësisht se nënkuptonte Marokun.

Ajo që është interesante këtu është se konflikti midis Marokut dhe Algjerisë nuk ka qenë i kufizuar duke prekur vetëm vetëm Rabatin dhe Algjerin, por ka përfshirë edhe disa lojtarë të tjerë; veçanërisht Francën, Izraelin, Spanjën dhe Frontin Polisario që përfaqëson lëvizjen nacionalçlirimtare për popullin ‘sahravi’.

Për të njohur më shumë rreth këtij konflikti, fola me Zine Labidine Ghebouli, një analiste dhe studiuese e specializuar në dinamikën politike dhe të sigurisë së Algjerisë. Ghebouli thotë se ‘Lufta e Ftohtë e Afrikës së Veriut’ ‘ka shpërthyer tashmë’, duke pretenduar se kjo luftë do të shfaqet në tre mënyra kryesore; beteja për epërsi rajonale, një luftë propagandistike dhe persekutimi i zërave kundërshtues.

Ai tha se ‘së pari ju do t’i shihni dy vendet duke kërkuar supremacinë rajonale, përmes garës së armëve që ne kemi parë për gati një dekadë tani, por edhe përmes garës diplomatike. Maroku padyshim që normalizoi marrëdhëniet me Izraelin, kështu që po zgjeron ndikimin e tij diplomatik. Algjeria, nga ana tjetër, po përpiqet të krijojë përpjekje diplomatike dhe ne kemi parë vizitat e ministrit të Jashtëm Ramdane Lamamra në Gjirin Persik dhe gjithashtu në shumë vende afrikane’.

Në pikën e dytë të përshkallëzimit, ai shprehet se do jetë lufta e propagandës’, të cilën ‘e kemi parë nga autoritetet zyrtare algjeriane. Natyrisht, ka disa faqe interneti pro-marokene që përhapin gjithashtu dezinformata për Algjerinë, por deri më tani nuk ka qenë qëndrimi i autoriteteve zyrtare marokene. Nga ana tjetër, Algjeria mobilizoi platformat zyrtare dhe jozyrtare të medias për të synuar Rabatin dhe çështjet sociale në Marok, çështjet ekonomike dhe çështjet politike dhe ne kemi parë shumë propagandë kohët e fundit’.

Zine Ghebouli tha më pas, se në mënyrën e tretë që lufta do të shfaqet, ‘do ketë ndjekjen gjyqësore të aktivistëve, gazetarëve me origjinë algjeriane, të cilët mund të perceptohen nga Algjeri si për autoritetet marokene, e kemi parë me përcaktimin e të dyve. Lëvizjet MAK dhe Rashad (grupet e supozuara separatiste) si organizata terroriste…kryesisht me MAK-un që akuzohet se është në kontakt me autoritetet marokene për të detyruar një qasje sigurie dhe kjo do të vazhdojë. Kushdo që është në kontakt me autoritetet marokene do përcaktohet si armik dhe trajtohet si i tillë.’

Më 20 shkurt, mijëra demonstrues dolën në rrugët e kryeqytetit maroken për të protestuar ndaj rritjes së çmimeve të karburantit dhe krizës ekonomike për të cilën ata fajësojnë autoritetet. Në mënyrë të ngjashme, Algjeria dëshmoi një rënie të mprehtë ekonomike, e cila ka vazhduar ‘që nga vera e kaluar, sepse Algjeria ndaloi importin e disa prodhimeve gjë që çoi në mungesën e ushqimeve në supermarkete… Gjatë vitit të ri, problemi është përkeqësuar në ekonominë e Algjerisë’, thotë Ghebouli.

Kur u pyet nëse ai beson se çështjet ekonomike do të përkeqësojnë tensionet, Zine tha se ‘për palën algjeriane çështjet socio-ekonomike shihen si një komplot kundër Algjerisë, nga disa fuqi rajonale dhe që përfshin edhe Marokun, duke vazhduar të thotë se është e mundur që rënia ekonomike ‘mund të shihet si një sulm kundër Algjerisë’.

“Në këtë kuptim, sa më shumë çështje socio-ekonomike të shohim në Algjeri dhe gjithashtu në Marok, aq më e tensionuar do jetë gjendja, sepse të dyja qeveritë ka të ngjarë të përpiqen të largojnë vëmendjen nga këto ankesa socio-ekonomike tek një tjetër, çfarë konsiderohet për to si një çështje e rëndësishme, që janë tensionet e sigurisë. Në thelb, ideja është që sa më shumë të thellohemi në çështjet socio-ekonomike, aq më shumë do të rriten tensionet, diplomatikisht dhe ushtarakisht.

Më pas pyeta nëse nënshkrimi i Marrëveshjeve të Abrahamit, ose marrëveshja e normalizimit midis Rabatit dhe Tel Avivit, kishte qenë një faktor në përshkallëzimin e fundit ose nëse kjo është tejkaluar. Ai u përgjigj:

“Kur bëhet fjalë për normalizimin e Rabatit me Tel Avivin, mendoj se kjo ishte pika e fundit që derdhi gotën e ujit kur bëhet fjalë për perceptimin algjerian, qoftë popullor apo zyrtar, për autoritetet marokene. Para këtij normalizimi, Algjeria konsideronte se të gjitha çështjet me Marokun mund të zgjidheshin në tavolinën e diskutimeve, apo negociatave, megjithatë, tani kam frikë se pas normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, që ishte maja e përshkallëzimit siç perceptohej nga autoritetet algjeriane, kjo nuk do ndodhë. Sepse ata konsiderojnë se Maroku po merr mbështetjen e Izraelit në luftën e tij me Algjerinë. Në këtë kuptim, mendoj se më shumë normalizim do të çojë në më shumë përshkallëzim me Algjerinë.”

“Algjeri në këtë pikë nuk e konsideron Marokun si një shtet të pavarur, ata e konsiderojnë atë si një mjet për atë që ata e quajnë projekti sionist në Afrikën e Veriut dhe Algjeri zyrtar ndihet veçanërisht i shënjestruar nga masa e normalizimit dhe disa opinione, qoftë në institucionet ushtarake apo në skenën politike, ata konsiderojnë se nuk është Algjeria që synon Izraelin apo Marokun, por se Izraeli e ka vendosur Algjerinë në listën e synimeve të tij dhe kështu problemi i tyre tani nuk është me Marokun, problemi i tyre kryesor është me Izraelin dhe ka qenë gjithmonë me Izraelin.”

Ndërkohë që Rabati dhe Algjeri kanë qenë në marrëdhënie të ashpërsuara, tensionet midis Algjerisë dhe ish-pushtuesit të saj kolonialist Francës kanë qenë gjithashtu në rritje. Pavarësisht se presidenti francez Emmanuel Macron dënoi kolonializmin si një ‘krim kundër njerëzimit’ në vitin 2017, vitin e kaluar Macron vuri në pikëpyetje vetë ligjshmërinë e Algjerisë si komb përpara kolonializmit francez.

Ai gjithashtu akuzoi establishmentin ushtarak të Algjerisë për nxitjen e ‘urrejtjes ndaj Francës’ dhe rishkrimin e historisë, duke kundërshtuar të kërkojë falje për pushtimin shkatërrues francez të tokave algjeriane. Si rezultat, Algjeria tërhoqi ambasadorin e saj në Paris. Në tetor, autoritetet algjeriane gjithashtu mbyllën hapësirën e tyre ajrore për ushtrinë franceze.

E pyeta Zine Ghebouli nëse ai beson se dënimi i fundit ndërkombëtar i shkeljeve të të drejtave të njeriut të kryera në Algjeri kanë ardhur drejtpërdrejt nga përkeqësimi i lidhjeve midis Algjerit dhe Parisit. Ghebouli thotë se ‘disa raporte kanë  aluduar se qasja e re e komunitetit ndërkombëtar, përballë Algjerisë, është pasoja ose dëmi kolateral i tensioneve me Marokun dhe Francën…Unë besoj se ka pasur një përfshirje nga disa OJQ franceze dhe aktorët politikë për të ushtruar më shumë presion mbi qeverinë algjeriane kur bëhet fjalë për kushtet e të drejtave të njeriut në Algjeri dhe gjithashtu kur bëhet fjalë për reformat socio-ekonomike dhe politikën e jashtme’.

Ai vuri në dukje se ‘vëzhgimi ndërkombëtar ka munguar gjatë viteve të fundit, veçanërisht që nga fillimi i lëvizjes së protestës në 2019. Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar nuk donte të ndërhynte, nuk donte të ishte aty apo të ndihmonte protestat në çdo mënyrë, për shkak të frikës nga reagimi i autoriteteve algjeriane dhe gjithashtu për shkak të skepticizmit postkolonial dhe paranojës së shoqërisë algjeriane në përgjithësi’.

Megjithatë, sipas Ghebouli, ‘komuniteti ndërkombëtar ka arritur një konsensus ose të paktën një përfundim në këtë pikë, duke parë kontekstin gjeopolitik, duke parë tensionet në zhvillim mes dy vendeve, duke parë edhe situatën në Sahel dhe paqëndrueshmërinë në gjithë rajonin. Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare sot konsideron se dhënia e një ‘drite të gjelbër’ autoriteteve algjeriane për çdo gjë dhe çdo gjë nuk i shërben qëllimit të qëndrueshmërisë në rajon’.

Për Marokun, një nga shqetësimet kryesore që ata kanë me Algjerinë është mbështetja e saj e vazhdueshme për Frontin Polisario, i cili vepron në zonën e Saharasë Perëndimore, të cilën Maroku e kontrollon në shumicën më të madhe.

Frente Polisario, ose Fronti Polisario, konsiderohet nga Rabati si një organizatë terroriste dhe një kërcënim për sigurinë. Megjithatë, Algjeri e sheh atë si një lëvizje nacionalçlirimtare dhe pret qeverinë e saj në mërgim. Çështja e luftës për Saharanë Perëndimore është se ajo konsiderohet si një territor i pushtuar që i përket popullit vendas ‘sahravi’ nga Polisario dhe një pjesë përbërëse e Marokut nga autoritetet e Rabatit.

Kombet e Bashkuara e konsiderojnë territorin si të kontestuar dhe çështja është e rëndësishme këtu, pasi një nga garancitë e dhëna nga administrata e Trumpit kur ai ishte president i SHBA-së, si pjesë e paketës së normalizimit të Izraelit, ishte njohja e sovranitetit të Marokut mbi Saharën Perëndimore nga ana e SHBA-së.

Aneksimi maroken i Saharasë Perëndimore në 1975 çoi në një luftë shkatërruese, duke përfunduar me një marrëveshje armëpushimi në 1991, e cila u mbajt për pjesën më të mirë të 30 viteve, deri më 13 nëntor 2020, kur Polisario shpalli armëpushimin si të përfunduar. Afërsisht një muaj më vonë, Rabati do normalizonte marrëdhëniet me Izraelin.

Unë fola me Dr. Sidi Omar, ambasadorin e Frontit Polisario në Kombet e Bashkuara, për konfliktin e tyre të vazhdueshëm me qeverinë marokene. Ai tha si vijon, kur u pyet për disa nga kostot e sahravitëve të konfliktit të vazhdueshëm midis dy palëve:

“Veçanërisht aktivistët e të drejtave të njeriut u nënshtrohen çdo ditë lloj-lloj dhune dhe mizorish të papërshkrueshme pa e ditur bota për gjendjen e tyre. Kjo për shkak të ndërprerjes mediatike të vendosur në Saharanë Perëndimore të pushtuar që mbetet e rrethuar nga muri maroken i turpit 2700 kilometra i gjatë, i cili është muri i dytë më i gjatë dhe barriera më e madhe ushtarake në botë. Politika, e cila organizohet dhe zbatohet nga forcat pushtuese të sigurisë, përfshin shkatërrimin e shtëpive dhe mjeteve të jetesës, vandalizmin e pronave dhe vrasjen e bagëtive me qëllimin e deklaruar të çrrënjosjes së sahravitëve nga shtëpitë dhe tokat e tyre, të cilat u jepen kolonëve marokenë. Në fushën e betejës, forcat marokene kanë përdorur të gjitha llojet e armëve, duke përfshirë mjetet ajrore pa pilot (UAV), për të vrarë jo vetëm civilët sahravi, por edhe civilë dhe shtetas të vendeve fqinje gjatë kalimit nëpër Territoret e Çliruara Sahraëi (territoret e Saharasë Perëndimore mbajtur nga Polisario).”

Ambasadori Omar fajësoi qëllimet ekspansioniste të Marokut, kur u pyet për përkeqësimin e fundit të marrëdhënieve midis Rabatit dhe Algjerit, dhe tha se që nga konflikti midis dy palëve, ‘ne, populli sahravi, po i nënshtrohemi një agresioni të ri maroken, i cili është një vazhdimi i së njëjtës politikë ekspansioniste të ndjekur nga Maroku, qëllimi i të cilit është të asgjësojë popullin tonë dhe të pushtojë tokën tonë’.

“Përveç pushtimit të vazhdueshëm të paligjshëm të pjesëve të Saharasë Perëndimore, ekspansionizmi dhe agresiviteti i Marokut tregojnë shkallën në të cilën regjimi maroken i detyrohet për mbijetesën e tij pushtimit territorial si një mjet për të larguar vëmendjen nga kriza e tij e rrënjosur thellë e legjitimitetit të brendshëm. Prandaj, ekspansionizmi i Marokut është shkaku kryesor i tensionit të qëndrueshëm në Afrikën e Veriut dhe pengesa kryesore për arritjen e një Magrebi të bashkuar, të begatë dhe gjithëpërfshirës që bashkon të gjitha kombet dhe popujt e tij.” – tha Omar.

Sidi Omar i Polisarios pohoi gjithashtu se armët izraelite po përdoren për të vrarë civilë në Saharanë Perëndimore, duke deklaruar: “Sa i përket pasojave të marrëveshjes së ‘normalizimit’ të Marokut me Izraelin, ne kemi parë tashmë një rritje të bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve, veçanërisht në dritën e luftës së vazhdueshme nga Maroku mbi popullin tonë që nga nëntori 2020. Mjetet ajrore pa pilot (UAV) të prodhimit izraelit janë përdorur shpesh nga forcat marokene për të vrarë jo vetëm civilë sahravi, por edhe civilë dhe shtetas të vendeve fqinje.”

Dr. Omar shprehu gjithashtu zhgënjim për marrëveshjen e normalizimit midis Izraelit dhe Marokut, duke shtuar se ‘është gjithashtu e njohur se, si një çmim ‘pro quo’ për marrëveshjen, presidenti në largim i SHBA-së, Donald Trump deklaroi njohjen e ‘sovranitetit maroken mbi Saharanë Perëndimore’ dhe pohoi synimin për të hapur një konsullatë amerikane në qytetin e pushtuar nga sahravit, Dajla (Dakhla). Natyrisht, kjo shpallje e njëanshme shkel parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare, largohet nga politika tradicionale e SHBA-së në lidhje me Saharën Perëndimore dhe thyen një qëndrim të kahershëm për të drejtën e vetëvendosjes së popullit sahravi. Ai gjithashtu cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të SADR (Republika Demokratike Arabe Sahravi) dhe pengon përpjekjet e OKB-së për të arritur një zgjidhje paqësore për çështjen e Saharasë Perëndimore. Rrjedhimisht, shpallja është e pavlefshme dhe nuk ka asnjë efekt’.

Maroku vazhdon të forcojë lidhjet e tij me Tel Avivin, duke blerë sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit Barak MX dhe së fundmi duke arritur një marrëveshje me Izraelin për të rritur lidhjet ekonomike.

Ministrja izraelite e Ekonomisë Orna Barbivai nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për tregtinë dhe investimet me homologun e saj maroken më 21 shkurt, duke shpresuar të rrisë tregtinë në 500 milionë dollarë në vit. Kompania izraelite ‘NewMed Energy’ po shikon nga tregu i energjisë në Marok. Konkretisht mundësitë e eksplorimit të gazit natyror, sipas shefit ekzekutiv të saj, Yossi Abu.

Një çështje kryesore, natyrisht, është se si do të përfundojë kjo marrëdhënie shtrënguese në një afat të gjatë dhe nëse i shërben sigurisë rajonale apo jo. Sigurisht nga këndvështrimi i qeverisë algjeriane, normalizimi i shërben qëllimit krejt të kundërt dhe kundërshtimi i tij ndaj Marokut bazuar në këtë mund të ndërlikojë pozitën e Algjerit në Perëndim.

Një çështje tjetër që duhet analizuar është se si Maroku përfundoi këtu. Është e qartë se marrëveshja që ajo nënshkroi me Izraelin erdhi me dhurata të caktuara, por gjithashtu është bërë e qartë se mund të ketë ardhur edhe me disa presione, kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shtetet e Bashkuara.

Në shkurt 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një investim prej 2 miliardë dollarësh në objekte në Mauritani. Rabati u tërbua nga investimi në objektet portuale të fqinjëve jugorë në Nouadhibou.

Ai besonte se ky investim nga Abu Dhabi do të përbënte një kërcënim për projektet e tij të Portit Dakhla dhe Tangier Med. Në mars të atij viti, Maroku tërhoqi ambasadorin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkaktuar një grindje që u pasua nga shumë akuza për përdorimin e taktikave të presionit të Emirateve kundër Rabatit, një prej të cilave ishte një akuzë se Emiratet e Bashkuara Arabe po mbështesnin armikun e tij, Polisarion. Megjithatë nuk ka asnjë provë për të mbështetur këtë pretendim.

Papritur, për arsye të panjohura publikisht, Emiratet e Bashkuara Arabe vendosën të kryejnë një ndërrim njëqind e tetëdhjetë gradë dhe u bënë vendi i parë arab që hapi një konsullatë në Saharanë Perëndimore të kontrolluar nga Maroku, në tetor të vitit 2020.

Më pas, më pak se një muaj më vonë, Fronti Polisario shpalli fundin e armëpushimit të tyre me Rabatin. Njoftimi i marrëveshjeve të normalizimit erdhi muajin pasardhës dhe bashkë me të edhe njohja e sovranitetit maroken nga SHBA mbi Saharanë Perëndimore, duke u shkëputur nga konsensusi ndërkombëtar.

Ky informacion të paktën sugjeron se Maroku ndoshta nuk ka hyrë me aq dëshirë në marrëveshjet e normalizimit dhe ka pasur presion të jashtëm të ushtruar mbi të në mënyrë që të detyrojë Rabatin të lëvizë. Nuk është absolutisht që arsyet e lartpërmendura janë motivuesit e vetëm, por ka të ngjarë që ato të kenë luajtur një rol në një farë mase.

Siç ndodhi gjatë vetë Luftës së Ftohtë, pasi Maroku ishte në anën e Perëndimit, ndërsa Algjeria në anën e Lindjes. Tani shohim përpjekje të përtërira nga qeveria algjeriane për t’u lidhur me kauzat globale dhe po ashtu, Algjeri aktualisht mban një marrëdhënie miqësore me Rusinë.

Algjeria gjithashtu organizoi një takim për të diskutuar të ardhmen e lëvizjes çlirimtare palestineze dhe ftoi të gjitha partitë kryesore politike, duke përfshirë Hamasin, PFLP, DFLP dhe Xhihadin Islamik Palestinez. Ndërsa Algjeria përafrohet më tej me popullin palestinez në luftën e tyre për shtetësi, po ashtu bën edhe Fronti Polisario.

Në përgjigje të pyetjes nëse Polisario po kërkon lidhje më të mëdha me palestinezët në luftën e tyre për vetëvendosje, ambasadori i Polisarios më tha se, “Përpjekjet janë në vazhdim për të përforcuar dhe shumëfishuar lidhjet midis dy popujve ndërsa ata vazhdojnë betejat e tyre nacionalçlirimtare për liri dhe paqe.” Ai shtoi gjithashtu se, “Betejat e zhvilluara nga popujt nën pushtimin e huaj janë të lidhura moralisht dhe politikisht sepse mbrojnë të drejtat themelore të njeriut dhe të njerëzve.”

E gjithë kjo duket se tregon një shtrirje të qartë në një bosht pro dhe antiperëndimor kur bëhet fjalë për Algjerinë dhe Marokun, por nëse kjo grindje mes të dyjave dhe lufta për Saharanë Perëndimore do të përshkallëzohet ose do të zbehet përmes diplomacisë është pyetje e hapur.

*Robert Inlakesh është një analist politik, gazetar dhe regjisor dokumentarësh me qendër aktualisht në Londër, Britani. Ai ka raportuar dhe ka jetuar në territoret e pushtuara palestineze dhe tani po punon me Quds News.