Vendosni fjalën kyçe....

Perëndimi shton presionin ndaj Indisë për blerjen e gazit rus, mund ta përjashtojë nga takimi i G7-ës


Gjermania donte të ftonte kryeministrin indian Narendra Modi si mysafir në një samit të G7-ës që do presë në qershor, por mund ta rishqyrtojë për shkak të kundërshtimit të Nju Delhit për të dënuar Rusinë për sulmin e saj ndaj Ukrainës, raportoi Bloomberg.

Lista e të ftuarve për veprimtarinë që do mbahet në Bavari u përpilua para sulmit në fund të shkurtit nga Rusia dhe përfshin gjithashtu vende si Senegali, Afrika e Jugut dhe Indonezia, tha media, duke cituar burime të njohura me të.

Kur u pyet për koment, një zëdhënës i kancelarit Olaf Scholz tha se kreu i qeverisë gjermane ‘do të dëshironte të shihte sa më shumë partnerë ndërkombëtarë që t’i bashkoheshin sanksioneve antiruse’ dhe se lista e të ftuarve të G7-ës do të zbulohej kur të ishte gati.

G7, ose Grupi i të Shtatëve, është një grup joformal i kombeve që ishin ekonomitë më të mëdha në botë në vitet 1970, kur u formua. Ai përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe SHBA-në.

Kritikët thonë se G7 është një institucion i vjetëruar që ka dështuar të mbajë hapin me kohën pasi fuqitë e reja ekonomike si Kina apo India kanë hyrë fuqishëm në skenë.

India ka kundërshtuar të ndërpresë tregtinë e saj me Rusinë, një furnizues kryesor i armëve për forcat e saj të armatosura. Ajo gjithashtu raportohet se rriti blerjet e energjisë nga Rusia ashtu si SHBA teksa aleatët e saj u përpoqën të zvogëlojnë tregtinë ruse të naftës dhe gazit.

Sfidimi i Nju Delhit ‘nuk ka kaluar pa u vënë re në kancelarinë gjermane’, tha një burim për Bloomberg. Gazeta vuri në dukje se vendet perëndimore po përballen me një rebus të ngjashëm diplomatik gjatë një samiti të G20 në Indonezi më vonë gjatë vitit.