Vendosni fjalën kyçe....

Raportimet nga Rusia: Helikopterët ukrainas sulmuan një fshat në kufi, shtatë të plagosur


Rusia ka pretenduar se dy helikopterë ukrainas ishin përgjegjës për një sulm në fshatin kufitar Klimovo në rajonin Bryansk këtë të enjten, ku mbetën shtatë persona të plagosur.

Komiteti Hetimor i Rusisë tha se po e trajtonte incidentin si një komplot kriminal. Siç shkruan RT duke iu referuar këtij Komiteti, dy helikopterë ushtarakë ukrainas kaluan në hapësirën ajrore ruse rreth mesditës, duke fluturuar në një lartësi të ulët.

Avioni qëlloi me armë të rënda në fshat, duke kryer të paktën gjashtë sulme në ndërtesat e banimit. Shtatë persona u plagosën dhe gjashtë shtëpi u dëmtuan në sulm.

Më herët, zyrtarët shëndetësorë thanë se një djalë dy vjeçar dhe nëna e tij, e cila është shtatzënë, ishin në mesin e shtatë të lënduarve. Dy persona thuhet se janë në gjendje të rëndë.

Sulmi ishte një nga dy incidentet e veçanta të ndodhura në zonën kufitare të enjten për të cilën zyrtarët rusë fajësuan forcat ukrainase. Incidenti i dytë ishte bombardimi i një kalimi kufitar rreth 40 km në jugperëndim të Klimovës.

Rojet kufitare ruse thanë se një grup prej rreth 30 refugjatësh nga Ukraina u sulmuan me mortaja teksa po kalonin pikën e kontrollit. Askush nuk u lëndua në sulm, por dy makina civile u dëmtuan, thuhet në raport.

Më 1 prill, një sulm i ngjashëm ajror ukrainas shënjestroi një strukturë magazinimi të naftës në qytetin rus të Belgorodit.