Vendosni fjalën kyçe....

Betohen 14 diplomatët e rinj, Xhaçka: Nëse punoni fort, do të keni tek unë një mbështetëse shumë të fortë


Katërmbëdhjetë diplomatë të rinj iu janë shtuar sot diplomacisë shqiptare në shërbimin e jashtëm.

“Betohem para flamurit kombëtar në nderin dhe bindjen time që do respektoj Kushtetutën e Shqipërisë dhe do i shërbejë interesave të popullit dhe atdheut tim.”- ishte betimi që bënë ata këtë të premte.

E pranishme në ceremoninë e betimit të diplomatëve të gjeneratës “Iliaz Vrioni” ishte dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.

Gjatë fjalës së saj, ministrja tha se të rinjtë po bëhen pjesë e diplomacisë shqiptare në një situatë shumë domethënëse për vendin dhe se meritokracia do të jetë baza e shërbimit të jashtëm. Xhaçka i siguroi diplomatët e rinj se tek ajo do të gjejnë një mbështetëse të fortë.

“Politika e jashtme e Shqipërisë ka arritur sot suksese që dukeshin dikur të pamundura. Që nga Presidenca e OSBE e deri tek mandati në Këshillin e Sigurimit, ku performanca e Shqipërisë ka qenë vërtet e suksesshme, jam e sigurt që këto janë momente për të cilat do të flitet gjatë në këtë ministri e mes të gjithë kolegëve që do t’i bashkohen shërbimit në vitet që do të vijnë.

Kjo performancë nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ne nuk arrijmë të afrojmë në shërbimin e jashtëm më të mirët. Dhe nëse nuk rikthejmë në shërbim në mënyrë sa më të plotë parimin e meritokracisë.

Unë besoj fort tek potenciali që i sjellin të rinjtë këtij institucioni. Besoj fort që duke krijuar sa më shumë hapësira për ju, jemi duke garantuar të ardhmen e Shërbimit të Jashtëm edhe për vitet që do të vijnë. Prandaj ju uroj shumë suksese dhe ju garantoj që nëse punoni fort do të keni tek unë një mbështetëse shumë të fortë.”-  tha Xhaçka.