Një violinë antike e vjedhur, e vlerësuar në mbi 100 mijë euro dhe që ishte zhdukur prej muajsh, u gjet në vendin më të papritur, raportoi gazeta ‘Le Parisien’ të enjten.
Maestroja italian Enrico Tedde, i cili luan në ‘Orchester des Champs-Élysées’ në Paris, u trishtua pasi iu rrëmbye violina në një tren nëntorin e kaluar.
Instrumenti i Tedde ishte një instrument i veçantë, që daton nga fundi i shekullit të 19-të. Ai e bleu atë nga mjeshtri legjendar venecian Giulio Degani, 15 vjet më parë. Pas incidentit në tren, maestroja ishte i sigurt se violina e tij kishte humbur përgjithmonë.
Në fillim të marsit, megjithatë, instrumenti i rrallë u zbulua i shtrirë pranë një koshi plehrash në zemër të Parisit nga një kalimtar që nuk dyshonte se ajo ishte e shekullit të 18-të, sipas gazetës. Aktualisht nuk dihet se si instrumenti i shtrenjtë përfundoi atje.
Violina u identifikua se i përkiste Tedde dhe iu kthye muzikantit të habitur. Ajo që ishte edhe më e mahnitshme është se vegla ishte në gjendje perfekte.