Vendosni fjalën kyçe....

Luftanija ruse fundoset në Detin e Zi


Ministria ruse e mbrojtjes ka njoftuar se një anije luftarake ruse që u dëmtua nga një shpërthim të mërkurën është fundosur në Detin e Zi.

Sipas njoftimit të ministrisë, anija “Moskva” e flotës ruse të Detit të Zi, po tërhiqej në port kur “detet e stuhishme” shkaktuan fundosjen e saj.

Luftëanija ishte një simbol i fuqisë ushtarake të Rusisë, pasi kishte udhëhequr sulmin e saj detar në Ukrainë.

Kievi pretendon se raketat e tij e goditën anijen luftarake. Moska nga ana tjetër nuk ka raportuar asnjë sulm, por thotë se anija u mbyt pas një zjarri.

Zjarri shkaktoi shpërthimin e municionit të anijes luftarake, thotë Rusia, duke shtuar se i gjithë ekuipazhi u evakuua më vonë në anijet ruse aty pranë në Detin e Zi.

Pasi tha fillimisht se luftanija ishte në det, të enjten vonë, ministria ruse e mbrojtjes njoftoi se Moskva kishte humbur.

Anija prej 12 mijë e 490 tonësh është luftanija më e madhe ruse që është mbytur në aksion që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ndërsa tërhiqej… drejt portit të destinacionit, anija humbi ekuilibrin për shkak të dëmtimit të pësuar në byk, një zjarr nisi pasi municioni shpërtheu. Duke pasur parasysh detin e trazuar, anija u mbyt.“- tha ministria ruse e mbrojtjes, citon BBC.

Zyrtarët ushtarakë ukrainas thanë se ata goditën anijën me raketa “Neptun” të prodhuar nga ukrainasit- një armë e krijuar pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe kërcënimi detar ndaj Ukrainës në Detin e Zi u rrit.

Mbytja e anijes u përshkrua nga SHBA si një “goditje e madhe“, por zyrtarët amerikanë nuk ishin në gjendje të konfirmonin nëse raketat ukrainase ishin përgjegjëse.

“Është sigurisht e besueshme dhe e mundshme që Ukraina në fakt e ka goditur këtë me një raketë Neptun ose ndoshta më shumë.”– tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby për CNN.

Një zyrtar i lartë ukrainas tha se deri në 510 anëtarë të ekuipazhit mund të ishin në bordin e anijes “Moskva”.