Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dalë sot një konferencë për mediat, ku ka folur për arsimin ne vend, duke marrë shkas nga një raport që e rendiste Shqipërinë të fundit në rajon.
Gjatë fjalës së tij, Meta ka ngritur shqetësimin për largimin e të rinjve nga Shqipëria, për shkak të asaj që e quan “krizë në arsim”.
“Kriza më e rëndë ekzistenciale sot”
Ndërsa e konsideroi krizën më të rëndë ekzistenciale, krizën në arsim, Meta i bëri thirrje Parlamentit për të ndërmarrë reforma lidhur me këtë.
“Do e cilësoja krizën në arsim si krizën më të rëndë ekzistenciale për sot e për nesër, dramë kombëtare se i heq Shqipërisë pasurinë më të çmuar e burimet njerëzore si promotorë.
I bëj thirrje parlament e qeverisë për ndërmarrjen e reformave për ta shëndetësuar nga fiktiviteti e militantizmi partiak. Hapjen e sistemit e freskimin e tij me prurje cilësore akademike, që do jenë hartuesit e reformave të vërteta e te besueshme për ta nxjerrë nga koma e për ta futur në binarët konkurrues të tregut. Me një arsim konkurrues do u japim të rinjve tanë shpresë.”– deklaroi Meta.
Thirrjet e Ramës dhe Bashës që SPAK të hetojë Berishën, si e komenton Meta
Meta u pyet nga gazetarët lidhur me thirrjet e Lulzim Bashës dhe kryeministrit Edi Rama se SPAK duhet të hetojë Sali Berishën pas shpalljes “non grata” nga SHBA.
Meta theksoi se çdo politikan ka të drejtë sikurse ai, që të dorëzojë prova në organet e drejtësisë që faktojnë vepra penale, mirëpo nuk mund t’u japë udhëzime këtyre institucioneve nga kongresi i partisë për të dhënë drejtësi me regji.
“Nuk kam dëshirë të merrem me çështje të cilat unë i konsideroj banale dhe që tregojnë një raport shumë të vjetër mes politikës dhe drejtësisë, aq më tepër kur vijnë nga ajo lloj politike që do sillte drejtësinë ere. Çdo politikan, kur ka fakte, akte e vepra konkrete të shpërdorimit ët detyrës, të krimit, i çon te institucionet e drejtësisë. Përpjekja për t’i dhënë udhëzime nga Kongresi i partisë institucioneve të drejtësisë se deri ku e kanë kufirin për të hetuar dhe si duhet të bëjnë drejtësi me regji, janë përpjekje për të shmangur përgjegjësinë nga kapja e shtetit nga një korrupsion kaq të rëndë. Është detyra e institucioneve të drejtësisë të tregojnë integritetin dhe besueshmërinë e tyre.“– iu përgjigj Meta interesimit të gazetarëve.
Për Aqif Rakipin: ”Çështje që ka të bëjë me sovranitetin e SHBA”
I pyetur për sanksionet e SHBA-ve ndaj ish- deputetit Aqif Rakipi, Meta u shpreh se këto janë çështje që i takojnë sovranitetit të vendeve të tjera.
“Nuk kam asnjë koment për të bërë për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin e vendeve të tjera. Është e rëndësishme të fokusohemi në respektimin e kushtetutës nga Presidenti deri tek qytetari i thjesht. Kjo nuk është e thjeshtë sepse themelet e republikës janë tronditur për shkak të problemeve me zgjedhjet dhe është e qartë që vendi është në një lëngatë të vazhdueshme të legjitimitetit të institucioneve dhe kjo zgjidhet përmes luftës dhe përpjekjeve për të garantuar votën e lirë në nivel kombëtar dhe vendor, votën e lirë brenda çdo force politike. Vetëm kjo do të rikthejë besimin e qytetarëve tek politika.”– tha Meta.
Zgjedhja e presidentit të ri/presidentes së re
I pyetur për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit, Meta tha se s’do të bëhet pjesë e një argëtimi publik. Ai theksoi se maxhoranca i ka votat për të zgjedhur një president të sajin.
“Lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri kjo nuk përbën interes konkret për mua, sepse është shumë e qartë që mazhoranca aktuale thjesht jo vetëm për shkak të zgjedhjeve të 25 prillit i ka votat për të zgjedhur një president të saj dhe nuk shoh asnjë arsye pse të bëhem pjesë e një argëtimi publik. Mandati im është deri në 24 korrik dhe në 25 korrik fillon një angazhim i ri dhe fillojnë përgjegjësi të reja.”– tha Presidenti.
A ka Meta një emër për Presidentin/Presidenten e re?
Meta thotë se nuk ka një emër konkret se kë dëshiron të jetë kreu i ardhshëm i shtetit. Por theksoi se presidenti i ardhshëm duhet të respektojë Kushtetutën dhe të mbrojë sovranitetin e popullit shqiptar.
“Nuk kam asnjë emër. Për mua është e rëndësishme që Presidenti apo Presidentja e ardhshme të respektojë Kushtetutën e Shqipërisë, të mbrojë sovranitetin e Republikës dhe popullit shqiptar. Të udhëhiqet nga interesi kombëtar. Kjo është e rëndësishme për mua. Gjithmonë ka patur probleme mes institucionit të Presidentit dhe mazhorancës, pasi gjithmonë pushteti tenton kapjen e shtetit. Po të bëni analizën e kohëve të kaluara, koha më e paqtë dhe bashkëpunuese mes Presidentit dhe kryeministrit, ishte koha kur ishte Meta kryeministër. Në çdo rast, e ardhmja e opozitarizmit, do të ketë ndryshim. Nuk do të ketë më pseudoopozitë. Opozita është përtej kësaj dere, në çdo rrugë apo rrugicë të Shqipërisë.” – tha Meta.
A është LSI e vogël për Metën?
Meta u pyet sot se çfarë do të bëjë me të ardhmen pasi të largohet nga politika dhe a është e vërtetë që LSI e vogël, siç ka thënë bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.
“Mendoj se në politikë janë të rëndësishme idetë, sidomos kur ato janë të kohës dhe i shërbejnë të ardhmes. Unë kam treguar gjithmonë se idetë që i jam qasur politikës janë të tilla.”- tha Meta.
Meta: Pse u ndava nga PS-ja në 2004-ën
Meta tha se arsyeja që u largua nga PS në vitin 2004 ishte pikërisht fakti që sipas tij qeveria bllokoi integrimin Evropian.
“Janë dy gjëra të ndryshme. Sa i takon angazhimit tim politik të mëparshëm, unë jam ndarë nga PS në 2004 sepse ishte kthyer në pengesë për integrimin në BE. Kjo ishte arsyeja që themelova një forcë të re politike, si LSI, pikërisht për të zhbllokuar këtë proces dhe kam realizuar këtë gjë pasi në vitin 2005 LSI luajti rol përcaktues ndaj një qeverie që kishte penguar integrimin. Dua të them që atë kohë, Serbia, Mali i Zi nuk ekzistonin në këtë proces. Ku jemi sot? E dini shumë mirë që ato i kanë çelur negociatat që ne ende s’i kemi çelur. Shpresoj shumë që të kemi një qasje më të mirë nga BE.”- tha Meta./Hashtag.al