Vendosni fjalën kyçe....

Përmbaruesi i arrestuar sot në Tiranë është vëllai i ish-deputetit Adriatik Alimadhi


Përmbaruesi i arrestuar sot në Tiranë është vëllai i ish-deputetit Adriatik Alimadhi.

Fatos Alimadhi u arrestua mëngjesin e sotëm, pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmën e tij të përmbarimit privat.

Së bashku me dy përmbarues të tjerë, Alimadhi akuzohet se ka firmosur për bllokimin e llogarive bankare të familjarëve të një personi që kishte ndërruar jetë.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. A., gjatë ushtrimit të funksionit si përmbarues privat, duke shpërdoruar detyrën, ka firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse të një subjekti privat, pa e njoftuar këtë subjekt.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit S. D., dhe P. Q., me detyrë përmbarues privat, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas hetimeve rezulton se një shtetas kishte marrë kredi në emër të një subjekti dhe pas disa kohësh ai ka ndërruar jetë. Sipas ligjit në momentin që ndërron jetë personi që ka marrë kredinë, atë e mbulon siguracioni i jetës. Por përmbaruesi Fatos Alimadhi në mënyrë të padrejtë, i bllokoi llogaritë familjarëve të të ndjerit dhe nuk i lajmëroi ata.

Kjo është hera e 3-të që përmbaruesi 54 vjeçar arrestohet.

Me firmën e tij të përmbarimit ‘Alimadhi SHPK’, ai është arrestuar edhe në 2015 dhe 2018 pikërisht për mashtrim duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash.