Vendosni fjalën kyçe....

Platforma e Alibeajt për bashkimin, Berisha: Ai s’ka tagër të firmosë dokumente në emër të PD-së


Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për platformën e bashkimit të Partisë Demokratike, që është propozuar nga kreu i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj.

Gjatë konferencës për mediet, Berisha u shpreh i habitur që Alibeaj kishte propozuar një platformë për bashkimin, në një kohë kur ka qenë ai që ka paditur PD-në në gjykatë. Ai i referohet ankimimit në Gjykatë të vendimit për miratimin e Statutit që njeh Komisionin e Rithemelimit si drejtues të PD-së.

“Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, të shtyrë tre muaj ose më shumë, njeriun e parë që unë kam takuar, që unë kam shtrirë dorën ka qenë kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj dhe deputeti Gaz Bardhi. U ula më së pari me ta për të dhënë mesazhin e shkëputjes nga një periudhë jonormale dhe përçarje e PD-së, njeriu që e krijoi u largua duke marrë të gjitha përgjegjësitë, por kjo ofertë gjeti refuzimin e zotit Alibeaj.

Z.Alibeaj jo vetëm e refuzoi ofertën, por i urdhëruar nga Edi Rama nëpërmjet Lulzim Bashës, siç e shprehu vetë në Shkodër Lulzim Basha, paditi PD-në në gjykatë. Tani më lejoni t’ju bëj me dije se padia e tij është absolutisht nul për arsye se nuk kanë qenë palë dhe Kodi i Procedisë Civile përcakton qartë se kush mund të përcjellë ankimim ndaj një gjykate. Përveç kësaj Alibeaj nuk ka asnjë agër të firmosë asnjë dokument, përveçse kur njihet si kryetar i grupit parlamentar. Kryetari i PD-së dha dorëheqjen. Kryetari aktual është Komisioni i Rithemelimit si kryetar kolektiv kolegjial dhe jo një individ, çka do të thotë firmat e tyre së bashku. Askush tjetër s’mund të firmosë në emër të PD-së.

Në këtë koncept, për këtë arsye u detyrova t’i them Alibeajt se për ne ti nuk je më kryetar i grupit parlamentar sepse ke bërë një shkelje shumë të rëndë. Ke paditur në mënyrë të paligjshme PD-në. Si mund të paraqesë një platformë një bashkëpunëtor i ngushtë i Edi Ramës?”– tha Berisha.