Vendosni fjalën kyçe....

“Vota do përcaktojë pozicionin tim të ardhshëm” – Deklaratat e Berishës sot


Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti mesditën e sotme një konferencë me gazetarët, nga ku e ka nisur fjalimin e tij me Kongresin e pak ditëve më parë të Partisë Socialiste.

Ai tha se ky Kongres i ngjante mbledhjeve të “Cosa Nostra”-s. Më tej Berisha foli për përplasjet e tij me kryetarin e grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, për ish-deputetin Aqif Rakipi, e shumë çështje të tjera.

Kongresi i PS-së si me qenë i “Cosa Nostra”-s

Berisha tha se ky Kongresi i PS-së i ngjante një Kongresi të një mafie shtetërore apo “Cosa Nostra”-s.

“Ky Kongres siç e patë ju vetë, siç e konstatuan mbarë shqiptarët dhe Kominiteti Ndërkombëtar ngjiste më shumë se gjithçka tjetër me Kongresin e një mafie shtetërore, apo Kongresin, le ta quajmë të Cosa Nostras.”– komentoi Berisha. Kjo pasi sipas tij nuk u diskutuan çështjet për të cilat shqiptarët prisnin përgjigje, si rritja e çmimeve.

“Rama i kërkoi SPAK-ut të më fusë në burg”

Duke iu referuar deklaratave të Ramës në Kongresin e Ps-së, Berisha u shpreh se kryeministri i dha mesazhe SPAK-ut se donte patjetër burgosjen e tij dhe dërgimin e opozitës në djall.

“Nëse në shpellat e Mafies diku në fund të mbledhjes siç thonë romanet merren vendimet për eliminimin e kundërshtarëve dhe caktohen kumbarët që u besohet kjo detyrë, kësaj here kreu i organizatës kriminale, ngarkoi me detyrë ‘Skapin’ e partisë, u tha se unë e dua patjetër në burg Sali Berishën dhe në djall opozitën.”– u shpreh Berisha.

“Alibeaj nuk ka tagër”

Berisha ka reaguar për platformën e bashkimit të Partisë Demokratike, që është propozuar nga kreu i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj.

Madje Berisha u shpreh i habitur që Alibeaj kishte propozuar një platformë për bashkimin, në një kohë kur ka qenë ai që ka paditur PD-në në gjykatë. 

“Tani më lejoni t’ju bëj me dije se padia e tij është absolutisht nul për arsye se nuk kanë qenë palë dhe Kodi i Procedisë Civile përcakton qartë se kush mund të përcjellë ankimim ndaj një gjykate. Përveç kësaj Alibeaj nuk ka asnjë agër të firmosë asnjë dokument, përveçse kur njihet si kryetar i grupit parlamentar. Kryetari i PD-së dha dorëheqjen.

Kryetari aktual është Komisioni i Rithemelimit si kryetar kolektiv kolegjial dhe jo një individ, çka do të thotë firmat e tyre së bashku. Askush tjetër s’mund të firmosë në emër të PD-së.

Në këtë koncept, për këtë arsye u detyrova t’i them Alibeajt se për ne ti nuk je më kryetar i grupit parlamentar sepse ke bërë një shkelje shumë të rëndë. Ke paditur në mënyrë të paligjshme PD-në. Si mund të paraqesë një platformë një bashkëpunëtor i ngushtë i Edi Ramës?”– tha Berisha.

“Me Sali Berishën nuk bën dot pazare të pista”

Berisha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama lidhur me akuzat që ai i drejton.

Berisha tha se Rama e sulmon, pasi me të nuk mund të bëjë dot pazare të pista.

“Çfarë ka ai me Sali Berishën? Ka një problem madhor. Me Sali Berishën nuk bën dot pazare të pista. Me Berishën nuk mund dot të tërheqë zvarrë opozitën. Ky është problemi i tij. Nuk them se nuk i kujtohen edhe 3 disfatat suksesive pas vitit 2005.”- tha Berisha.

“Pse të besojmë DASH-in për korrupsionin e Ramës, por jo për të Berishëns?”

Berisha u pyet nga gazetarët se përse duhet që publiku të besojë raportin e DASH-it për korrupsionin në Shqipëri të kryeministrit Edi Rama dhe jo vendimin për shpalljen e tij “non grata”.

Kësaj pyetjeje Berisha iu përgjigj duke thënë se theksuar se që një akuzë të jetë e besueshme duhet të shoqërohet me prova.

“Është e thjeshtë. Mjafton thjesht një fakt, një provë, një dokument për të bërë të besueshëm çdo gjë. Por pa një fakt, pa një provë, pa një dokument, është e pamundur që një njeri i civilizuar, i lirë të pranojë një gjë të tillë. Nuk jam vetëm unë. Mendoj se çdo njeri i civilizuar nuk mudn ta pranojë. Kjo është përgjigja.”- tha Berisha.

“Basha dreka e darka me Rakipin, donte ta fuste në koalicion”

Gjatë kësaj konference, tha se nuk ka folur për ish-deputetin Aqif Rakipi të ndëshkuar sëfundmi nga Thesari Amerikan, dhe për deklaratat që Basha bënte ndaj tij pas zgjedhjeve, për shkak se dy të fundit janë takuar disa herë me njëri-tjetrin. Madje sipas tij, ka pasur përpjekje të vazhdueshme nga Basha për ta vendosur Rakipin në koalicionin e PD-së.

“Rasti konkret, nuk jam futur shumë në hollësi se po të futesha më dilte para sysh një seri drekash dhe darkash të Lulzim Bashës me Qifen dhe përpjekjet e tij për ta vendosur në koalicion me PD. Unë e kam takuar vetëm një herë në jetën time dhe unë në mënyrë absolute dënoj çdo akt për blerje dhe shitje vote.”– tha Berisha.

“Alibeaj është peng politik”

Berisha e ka akuzuar Alibeajn si peng politik të Bashës e Ramës.

“Me veprimet që bën, është absolutisht peng politik. Enkelejd Aliebaj nuk po bën gjë tjetër, por gjithçka që të faktojë se ka dy PD. Koha është ajo që do t’i nxjerrë më mirë gjërat.”- tha ish-kryeministri.

“Vota do përcaktojë pozicionin e ardhshëm të Sali Berishës”

Berisha është shprehur i gatshëm për të garuar për kreun e PD-së, por theksoi se do të jetë vota ajo që do të përcaktojë pozicionin e tij të ardhshëm.

“Unë i nënshtrohem votës së lirë të PD. Vendimi i Lulzim Bashës për largimin tim nga grupi u shpall po atë orë, po atë ditë null and void. Zgjodha një rrugë që dha këtë rezultat. Ai nuk është më në drejtimin e PD. ishte zgjedhje ajo. Apo jo?! Kështu që çdo zgjedhje që vjen në kundërshtim me statutin e PD do marrë përgjigjen ligjore statutore. Natyrisht ka një ofensivë të fuqishme, një paradë të madhe të shpërndarë nga Edi Rama dhe George Soros. Të gjithë këta zotërinj në një aspekt apo një tjetër jetojnë në sipërfaqen tjetër të hënës. Sikur nuk kanë parë votën e lirë me sy. Ata kanë frikë nga vota. Do të jetë vota ajo që do të përcaktojë poziciononin e ardhshëm të Sali Berishës. Kjo nuk mund të ketë asnjë evkuivok. Të tjerat janë të gjitha narracionesh ankthesh apo dufe urrejtjesh. Unë mbetem njeri që i besoj votës së lirë.”- janë fjalët e Berishës./Hashtag.al