Tre punonjës në firmën përpunimit të kontenierëve në portin e Durrësit janë arrestuar nga policia në lidhje me aksidentin e ndodhur një ditë më parë.
Sipas hetimeve, njëri nga të arrestuarit, personi me inicialet N. V., 64 vjeç, ka goditur me mjetin e punës 19-vjeçarin që humbi jetën.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’, shtetasit:
-R. B., 27 vjeç, me funksion përgjegjës turni, në firmën përpunimit të kontenierëve në portin e Durrësit.
-N. V., 64 vjeç, me funksion manovrator i makinerisë.
-B. T., 42 vjeç, me funksion kryemekanik i ofiçinës.”– thuhet në njoftimin e Policisë.
Uniformat blu thonë se arrestimi i shtetasve të lartpërmendur u bë sepse, për shkak të moszbatimit të rregullave të mbrojtjes në punë, ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Sheshi i Kontenierëve” në portin e Durrësit, “punonjësi i kësaj firme, shtetasi R. B. është aksidentuar me pasojë vdekjen, nga një mjet pune i kësaj firme, që po drejtohej nga shtetasi N. V.”