Vendosni fjalën kyçe....

Palestina kërkon presion ndërkombëtar që Izraeli të tërheqë forcat nga xhamia Al-Aksa


Palestina ka kërkuar që ndaj Tel Avivit të ushtrohet presion për tërheqjen e forcave izraelite nga Xhamia Al-Aksa dhe për të hequr pengesat për adhurimet e muslimanëve dhe të krishterëve.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, përfaqësuesi i përhershëm i Palestinës në OKB, Riyad Mansour ka zhvilluar një sërë bisedash me zyrtarët e OKB-së dhe ata ndërkombëtarë pas zhvillimeve në Kuds.

Në bisedime, Mansour ka nënvizuar se duhet të lirohen menjëherë gazetarët, fëmijët, të moshuarit dhe gratë palestineze që Izraeli ka arrestuar. Ai ka kërkuar që të ushtrohet presion mbi Tel Avivin për tërheqjen e forcave izraelite që ndodhen në Xhaminë Al-Aksa dhe për heqjen e pengesave ndaj adhurimeve të muslimanëve dhe të krishterëve.

Duke kërkuar që të ndalen sulmet izraelite ndaj civilëve palestinezë dhe hapave që rrisin tensionet në çdo zonë të territoreve të Palestinës, Mansour tha se “Dënimi i sulmeve që shteti izraelit dhe kolonët hebrenj kryejnë ndaj palestinezëve, krahas parandalimit të krimeve duhet të kalojë në nivelin e kërkimit të llogarisë dhe që të mbrojë popullin e Palestinës”.

Mansour i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kalojë sa më parë në veprim për të parandaluar rrezikun që sa vjen e përshkallëzohet dhe për të mbrojtur civilët palestinezë.